Ndërlidhjet

OKB: Probleme në bisedimet për marrëveshjen për armatim


Ndërtesa e OKB-së në Nju Jork
Ndërtesa e OKB-së në Nju Jork

Dita e enjte ishte dita e parë e plotë e bisedimeve për marrëveshjen obliguese për rregullimin e tregtisë globale të armatimit në Kombet e Bashkuara.

Megjithatë, fakti se shtetet pjesëmarrëse ishin shumë hezituese në miratimin e planit të punës për ditën e ardhshme të punimeve, tregon se sa të vështira do të jenë negociatat.

Marrëveshja për rregullimin e tregut global të armatimit, që është e para e këtij lloji deri tash, duhet të miratohet me konsensus nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Bisedimet e parapara që të zgjasin një muaj, u ballafaquan me vonesa që në fillim.

Ato është dashur të fillojnë të hënën, por ishin shtyrë lidhur me kontestin se a do të lejohen të votojnë delegacioni palestinez dhe ai i Vatikanit.

Meqë të mërkurën ishte ditë pushimi në Shtetet e Bshkuara, delegacionet e shteteve u takuan të enjten për të parën herë për t’i paraqitur opinionet e tyre për këtë marrëveshje.

Por, edhe vetë propozimi për rendin e ditës, për vazhdimin e bisedimeve, i paraqitur nga kryesuesi i konferencës, ambasadori i Argjentinës në OKB, Roberto Garsia Moritan, është pritur me skepticizëm.

Propozimi i tij ishte që të formohen dy komitete për konsultime të hapura dhe të mbyllura. Sipas tij, një komitet do të punonte në fushëveprimin e marrëveshjes, ndërsa në tjetrin do të zhvilloheshin negociata për objektivat e saj.

Disa përfaqësues, përfshirë Iranin, Kubën, Sirinë, Spanjën, Indinë, Korenë Veriore dhe Algjerinë, i paraqitën vërejtjet e tyre lidhur me rendin e ditës.

Disa e citonin shqetësimin se delegacionet e tyre nuk do të kishin anëtarë të mjaftueshëm për të qenë të pranishëm në të gjitha takimet paralele.

Ambasadori argjentinas, Roberto Garsia Moritan, kërkoi që shtetet pjesëmarrëse ta pranojnë rendin e ditës, që ai e ka përgatitur, bile vetëm për takimin e ardhshëm.

Po e propozoj për nesër, vetëm për nesër, që të kemi komitet, që nesër t’i kemi dy komitete. Pra, nëse deri nesër ne nuk kemi marrëveshje për javën prej 6 e deri më 13 korrik, ne nuk vazhdojmë me komitete”, tha ambasadori Moritan.

Disa shtete, përfshirë Spanjën, Kubën dhe Sirinë, shprehën shqetësime për fillimin e çfarëdo konsultimeve formale, derisa të mos përcaktohet rendi i ditës i përhershëm.

Lidhur me këtë çështje, ambasadori Moritan u përgjigj duke kërkuar “që të mos humbet edhe një ditë, sepse është për keqardhje”.

Ambasadori i Portugalisë, Hoze Filipe Morales Kabral, që dukej i mllefosur pas disa orëve të deklaratave të delegacioneve të ndryshme, sugjeroi se koha e paraparë e deklaratave për ditën e ardhshme do të ishte humbje e kohës.

Në këtë kuadër ai theksoi:

Nëse ky është interpretim korrekt, atëherë intervenimet e përgjithshme gjatë mëngjesit, prej orës 10 deri në 11, janë thjeshtë liturgjike, pasi ne do të zhvillojmë negociata të pavarura nga këto deklarata të përgjithshme. Pra, do të dëshiroja nëse aktualisht mundemi që të mos kemi më tepër deklarata të përgjithshme, kështu që delegacionet të koncentrohen në substancë”, tha ambasadori portugez, dhe shtoi se delegacioni i tij nuk do të insistoj në deklaratën e përgjithshme, pasi përsëriti ai, e konsideron liturgji të pastër.

Por, ambasadori Moritan e qortoi Kabralin për mosdurimin e tij, duke thënë se kjo “nuk ishte liturgji por ekstremisht e rëndësishme” për secilin delegacion të shprehet dhe të dëgjohen pikëpamjet e njëri-tjetrit.

Në këtë kuadër Moritan tha se dëshiron ta shohë delegacionin e Portugalisë duke e paraqitur deklaratën e përgjithshme në seancën e ardhshme. (f. b.)
XS
SM
MD
LG