Ndërlidhjet

logo-print

Vazhdojnë ngecjet në reformat zgjedhore


Kutitë e votave në zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi

Kutitë e votave në zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi

Zyrtarët e komisionit për reformat zgjedhore thonë se procesi i nisur për reforma nuk është duke shkuar ashtu siç ishte paraparë.

Drejtuesi i këtij komisioni, deklaroi se deri më tash, çështjet e natyrës teknike-juridike janë rregulluar dhe sistemuar në draft-ligjin për zgjedhjet.

Por, ngecjet janë të theksuara ende, lidhur me çështjet e natyrës politike, siç janë çështja e zonave zgjedhore, e pragut zgjedhor dhe listave zgjedhore.

Kryetar i Komisionit për Reforma Zgjedhore Haki Demolli, i tha Radios Evropa e Lirë se ngecjet janë pasi që liderët kryesorë të partive politike nuk po marrin pjesë në takimet e parapara.

Ne ja kemi dalë që të kemi një takim, kurse tri takime të tjera të planifikuara, thuajse kanë dështuar për arsye të disa çështjeve teknike, ose edhe për arsye të agjendës së ngarkuar të liderëve politikë. Ne kemi trajtuar çështjet e hapura të dhjetë kapitujve të draft-ligjit, dhe javën e ardhshme kemi edhe takimin e fundit para pushimeve verore”, tha Demolli.

Kurse, Behar Selimi, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët Partisë Demokratike të Kosovës, konsideron se komisioni është duke kryer punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, por problemi, sipas tij, qëndron te liderët politikë që nuk po japin propozimet e tyre për disa çështje të rëndësishme në ligj.

Fakti se është krijuar përshtypja se ka vonesa në komision, ka të bëjë me mungesën e qëndrimeve të prera për çështjet e mëdha të sistemit zgjedhor nga ana e liderëve të partive politike. Pra, për sa kohë që komisionit nuk i vijnë përgjigjet në pyetjet do të kemi më shumë zona zgjedhore dhe nëse do të kemi ma shumë zona zgjedhore sa zona zgjedhore – kjo reflektohet në punën e komisionit”, u shpreh Selimi.

Nga ana tjetër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, konsiderojnë se pasi Parlamenti ka votuar për formimin e komisionin dhe anëtaret e tij, nuk do të duhej që liderët politikë të vendosin për çështje të rëndësishme në ligjin për zgjedhjet.

Albulena Haxhiu, deputete dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, mendon se vet marrëveshja e tri partive politike në prill të vitit të kaluar është një marrëveshja anit-kushtetuese, arbitrare dhe e dëmshme për vendin.

Kuvendi me miratimin e asaj rezolute ka formuar dy komisione të cilat janë përgjegjëse për këto ndryshme. Andaj, zëvendësimi i anëtarëve të komisionit me këta liderë është de-insitucionalizim”.

Pra, ne mendojmë që nuk duhet të vendosin liderët në takimet me dyer të mbyllura në lidhje me sistemim zgjedhor, po ajo do një diskutim më të gjerë dhe që vendosë edhe qytetarët edhe përfaqësuesit e tjerë të cilët janë në komision. Qëllimi i zvarritjes së këtij procesi sigurisht që është mbetja në pushtet e partisë e cila ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura”, tha Haxhiu.

Komisioni, nëse arrin me kohë t’i tejkalojë problemet që ka me takimin e liderëve të partive politike, dhe nëse arrin konsensusin e tyre deri në muajin shtator, Haki Demolli thotë se ndryshimet e ligjit përkatës do t’i ofrohen Kuvendit për miratim.

Pa përfunduar mandati ne do t’ia dozojmë draft-ligjin Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që çështjet të cilat janë të karakterit politik, të themi siç janë çështja e zonave, listave të hapura e të mbyllura, të vendosen drejtpërdrejt në Kuvend”, tha Demolli.

Qëllimi kryesor i reformave zgjedhore është që nga një zonë, të ketë më shumë zona.

Formimi i këtij komisioni ishte rezultat i marrëveshjes Thaçi - Mustafa - Pacolli, me të cilën marrëveshje ishte tejkaluar edhe problemi i zgjidhjes së presidentit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG