Ndërlidhjet

Maqedoni: Partitë nisin fushatën 10 muaj më herët


Shkup - foto nga arkivi

Shkup - foto nga arkivi

Pas partive maqedonase edhe ato shqiptare kanë nisur tashmë aktivitetet parazgjedhore për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

Është kjo hera e parë që partitë të nisin aktivitete të tilla thuajse 10 muaj para zgjedhjeve.

Partia Demokratike Shqiptare, 19-vjetorin e themelimit të saj, e ka shënuar me promovimin e kandidatit për njërën nga komunat më të mëdha të banuara me shqiptarë. Prefekti aktual i Tetovës, Sadi Bexheti, do të jetë sërish i nominuari i kësaj partie për kryetar të Komunës.

Aktivitetet e këtilla të promovimit të kandidatëve po përcillen edhe me akuza dhe kundër-akuza ndaj oponentëve politikë.

Kjo u pa edhe mbrëmjen e së enjtes në Tetovë kur kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjatë promovimit të Sadi Bexhetit, akuzoi BDI-në pushtet për pozitën e palakmueshme të shqiptarëve në Maqedoni.

“Deri më tani shqiptarët nuk kanë qenë më shumë të përbuzur dhe të pazot se tani. Qeveria aktuale ua konfiskon pasurinë, i arreston vend e pa vend. Qeveria aktuale e Maqedonisë jo vetën që nuk i zbut fërkimet e brendshme dhe të jashtme, por, përkundrazi i acaron ato dhe me projektin ‘Shkupi 2014’, kryeministri maqedonas e përjetësoi konfliktin me Greqinë”, ka deklaruar Thaçi.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk kanë dalë ende me emrat e kandidatëve të tyre, por disa prej kryetarëve aktualë tashmë publikisht kanë shprehur ambiciet edhe për një mandat të ri.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të partisë është vendosur që pas shqyrtimit të raporteve të funksionarëve në nivel qendror dhe lokal dhe analizës së hollësishme të punës së tyre, Kryesia partiake të vlerësojë nevojën për ndryshime eventuale apo edhe të ndërmerren masa tjera në përputhje me nevojat dhe pritjet e qytetarëve në nivelin lokal dhe qendror.

Ndërkohë, aktivitetet e këtilla në bllokun politik maqedonas janë edhe më dinamike. Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM-ja tashmë ka mbajtur mitingje në më shumë qytete të mëdha duke promovuar kandidatët e tyre, ndërsa VMRO-DPMNE vazhdon me përurimin e objekteve të ndryshme, kurse ka shpallur edhe konkursin e përzgjedhjes së kandidatëve të saj.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk i kanë komentuar këto zhvillime politike me arsyetimin se anëtarët e këtij trupi ndodhen në pushime.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike dhe të kodit zgjedhor kanë thënë se në Maqedoni po ndodhë një fenomen i paparë deri më tani.

Gordana Siljanovska, ligjëruese universitare dhe anëtare e Komisionit të Venecias, ka thënë se vetëm pas përfundimit të mandatit të tyre kryetarët e komunave apo të partive politike mund të nisin fushatën paraelektorale në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj. Sipas Siljanovskës, në rastin konkret duhet të reagojë edhe Këshilli për Radiodifuzion.

“Ndoshta të themi se nuk është fushatë parazgjedhore, por në thelb gjithçka i ngjason një fushate, një fenomen i ri në praktikën zgjedhore në Maqedoni, pra kemi një fushatë para-paraelektorale. Prefektët duhet që deri në fund të kryejnë mandatet e tyre dhe vetëm pas kësaj mund të marrin pjesë në fushata zgjedhore. Konsideroj se edhe Këshilli për Radiodifuzion është i detyruar t’i respektojë rregullat nga kodi zgjedhor sa i përket fillimit të fushatës elektorale”, ka vlerësuar Siljanovska duke përkujtuar të involvuarit e aktiviteteve të tanishme politike se nuk guxojnë në asnjë mënyrë që fushatat e këtilla elektorale t’i mbulojnë me para shtetërore apo komunale.

“Ata nuk do të guxonin të shfrytëzonin mjetet financiare nga komunat apo nga qyteti. Burimet e financimit të aktiviteteve elektorale janë të përcaktuara me ligj dhe jo në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë me fonde nga buxhetet komunale”, është shprehur Siljanovska.
XS
SM
MD
LG