Ndërlidhjet

Kushtetuesja vendos: Jahjaga ka mandat pesëvjeçar


Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të premten se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën.

Vendimi për mandatin e presidentes bën pjesë në kuadër të disa opinioneve që Gjykata Kushtetuese i jep në lidhje me tetë nene të propozuara që kanë të bëjnë me pozitën dhe rolin e presidentit të Kosovës.

Gjykata konsideron se ato pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në Kapitullin e dytë të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk janë në pajtim me të.

Komisioni për Ndryshime Kushtetuese në fillim të pranverës kishte dërguar njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament.

Por, për t’u vërtetuar me kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i kishte proceduar ato për vlerësim dhe vendim tek autoriteti më i lartë i interpretimit të kushtetutshmërisë.

Njëherësh, Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar edhe opinionin e presidentes lidhur me këto ndryshime. Presidentja Jahjaga në përgjigjen e saj, ndërkaq, kishte theksuar se propozimi për shkurtimin e mandatit të saj nuk është në pajtim me Kushtetutën.

Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011, pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Marrëveshja midis liderëve politikë pati mundësuar tejkalimin e krizës dhe situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në shkurt të vitit 2011, ishte jokushtetuese.

Me këtë marrëveshje përfshihej edhe pajtimi për ndryshimin e Kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.

Që marrëveshja të ishte më fuqiplotë, Kuvendi pati miratuar edhe nëj rezolutë në mbështetje të saj. Por, siç qëndrojnë tash gjërat, vendimi i Kushtetueses mbase do t’i garantojë Jahjagës një post të plotë prej pesë vjetësh. (z.g).
XS
SM
MD
LG