Ndërlidhjet

Miqtë e Sirisë: “Asad duhet të shkojë”


Bashar al-Asad
Bashar al-Asad
Konferenca “Miqtë e Sirisë” përfundoi në Paris me pajtim unanim se presidenti i Sirisë, Bashar Al Asad “duhet të shkojë”.

Ministri i Jashtëm francez, Lorra Fabiy, u tha gazetarëve se përfaqësuesit e mbi 100 shteteve dhe anëtarë të opozitës në Siri janë pajtuar se: “Bashar Al Asad duhet të shkojë sa më parë - aq më mirë”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, e shpjegoi në këtë mënyrë qëndrimin e pjesëmarrësve të konferencës:

“Le të jem i qartë - ne nuk mund të inkurajojmë ndonjë zgjidhje që e mban në pushtet këtë regjim. Kjo do të thotë se një tranzicion paqësor e demokratik në Siri dhe për Sirinë përjashton ndonjë rol politik për Bashar Al Asadin”.

Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Britaninë, kërkuan sanksione kundër Damaskut.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, bëri thirrje për një rezolutë të Kombeve të Bashkuara rreth një tranzicioni politik në Siri, të përcjellë me sanksione kundër regjimit të Al Asadit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

“Sot, bashkësia ndërkombëtare dërgoi një mesazh të qartë dhe të unifikuar: dhuna në Siri duhet të përfundojë, një tranzicion demokratik duhet të nisë dhe Asadi duhet të largohet”, tha Hillari Klinton.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, tha se vendi i tij tashmë ka ndërmarrë disa masa unilaterale për të kufizuar mundësitë e arritjes së armëve dhe materialeve të ngjashme në Damask.

“Çfarë duhet të bëjmë ne, si miq, të Sirisë? Së pari, duhet ta rrisim presionin mbi regjimin sirian sikurse mbi ata që mbështesin regjimin e Sirisë, t’i izolojmë ata shumë e më shumë. Si Turqi, ne nuk po lejojmë asnjë plan të shkojë për në Siri pa e kontrolluar atë. Ne nuk do të lejojmë asnjëherë ndokënd të dërgojë municion në Siri ose çkado që do të mund të rrezikonte motrat dhe vëllezërit tanë sirianë”, tha diplomati turk.

Marrëdhëniet e Ankarasë me Turqinë janë përkeqësuar pas rrëzimit të një aeroplani turk mbi Siri, si pasojë e të cilit vdiqën dy pilotë.

Në takimin që u mbajt në Paris, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kritikuan Rusinë dhe Kinën rreth përpjekjeve të pakta për t’i dhënë fund konfliktit.

Sekretarja amerikane, Hillari Klinton, tha se Moska e Pekini duhet të “paguajnë çmimin” për bllokimin e çfarëdo aksioni kundër Asadit.

“Do t’ju them shumë sinqerisht, nuk mendoj se Rusia dhe Kina besojnë që janë duke paguar për këtë - aspak madje, se po ngrihen në emër të regjimit të Asadit. Mënyra e vetme që kjo të ndryshojë është nëse çdo shtet në mënyrë individuale e bën të qartë se Rusia dhe Kina do të paguajnë çmimin, për shkak se janë duke e mbajtur peng përparimin në këtë çështje duke e bllokuar atë. Kjo nuk është e tolerueshme më”, u shpreh Klinton.

Sekretari britanik, Uilljem Hejg, tha se shtetet që nuk zbatojnë sanksione ndaj regjimit të Asadit po lejojnë në mënyrë efektive vrasjen e njerëzve.

Rusia dhe Kina bojkotuan takimin e së premtes në kryeqytetin francez.

Në Moskë, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Riabkov, hodhi poshtë deklaratat, sipas të cilave Rusia po mbështet Asadin.

Duke folur para gazetarëve ai tha: “Unë kategorikisht kundërshtoj çdo formulim, sipas të cilit Rusia mbështet regjimin e presidentit Bashar Al Asad në situatën, e cila është zhvilluar në Siri”.

Takimi i grupit “Miqtë e Sirisë” erdhi në kohën e rritjes së raporteve që flasin për dezertimin e një gjenerali të lartë të Sirisë, i cili ishte i afërm me Asadin.

Autoritetet franceze konfirmuan se brigadier-gjenerali sirian, Manaf Tlas, ka braktisur Damaskun, duke u bërë kështu oficeri më i lartë që ka braktisur regjimin sirian.

Grupet për të drejtat e njeriut në Siri thonë se më shumë se 16 mijë e 500 njerëz janë vrarë gjatë përleshjeve ndërmjet forcave qeveritare dhe opozitës së armatosur që nga muaji mars i vitit të kaluar.(e.p.)


Irina Lagunina nga shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë shpjegon shitjen armëve ruse në Siri dhe pse Kremlini vazhdon të mbështesë regjimin e Asadit.

Përfshirja e Rusisë në Siri
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00
XS
SM
MD
LG