Ndërlidhjet

Arsimi, shëndetësia, mediat - nuk obligohen me TVSH


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Që nga fillimi i këtij muaji, nuk do të aplikohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për sektorin e shëndetësisë, arsimit, si dhe mediave elektronike dhe të shkruara, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Valentina Bytyçi, zyrtare për komunikim me publikun në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me lirimet e aplikuara, përfitimet në këta sektorë do të jenë të mëdha.

“Me lirimet e aplikuara, përfitimet janë jashtëzakonisht të mëdha për biznesin, si dhe konsumatorin/klientin. Përfitimi më i madh është i blerësit të fundit, sepse do të marrin shërbime më të lira. Sipas të dhënave, në tri vitet e fundit, shuma e TVSH-së në total nga të gjithë sektorët e lartcekur, sillet rreth 700,000 € deri 1,000,000 € në vit”, thotë Bytyçi.

Në anën tjetër, përfaqësues të mediave dhe universiteteve private e kanë mirëpritur zbatimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, megjithëse i vonuar, pasi, sipas tyre, autoritetet kompetente kishin premtuar se një vendim i tillë do zbatohen nga korriku i vitit të kaluar.

Ymer Mehmeti, udhëheqës i financave në grupin “Koha” pjesë e së cilës është gazeta e përditshme Koha Ditore, dhe dy kanalet Kohavisioni dhe Arta TV, thekson se ky vendim ka efekt pozitiv në kompaninë e tij.

Ai tregon se vetëm gjatë një muaji, për materialet të nevojshme kjo kompani ka paguar TVSH deri në 20 mijë euro. Ai thotë se çmimet e marketingut në këto media do të ulen, pasi nuk llogaritet TVSH-ja për 16 qind.

“Kryesisht, në material që kursejmë, është rreth 20 mijë euro në muaj, do të thotë këtë shumë e kemi paguar TVSH në kufi, çka do të thotë se për një vit kemi paguar deri 250 mijë euro”, pohon Mehmeti.

Aplikimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në arsimin e lartë ka qenë i tepruar dhe i panevojshëm. Ky obligim ka ngarkuar tërë sistemin e cilësisë dhe ofrimin e nivelit të duhur të studimeve në arsimin e lartë, konsideron Bedri Selmani, rektor në Kolegjin Universitar Privat “Victory”.

Aplikimin e deritashëm të TVSH-së për institucionet e arsimit të lartë, Selmani e quan të dëmshëm për këtë fushë:

“Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në arsimin e lartë ka qenë i tepruar dhe i panevojshëm dhe ka ngarkuar tërë sistemin e cilësisë dhe ofrimit të studimeve në arsimin e lartë. Në këtë rast, përveç kësaj, Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të bëjnë edhe disa reforma që të gjithë pjesëmarrësit në tregun e dijës të jenë të barabartë”.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është paguar në masën prej 16 për qind nga vlera e tatueshme e importit, hyrjeve brenda dhe furnizimeve tjera të tatueshme, me përjashtim të furnizimeve të normës zero.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG