Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi dënon vrasjet në Talinovc


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi ka dënuar aktin vrasjes së dy qytetarëve në fshatin Talinovc të komunës së Ferizajt.

“Me indinjatën më të thellë dënoj aktin e vrasjes së dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, në fshatin Talinovc të komunës së Ferizajt. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj kanë shprehur angazhimin dhe vullnetin e tyre për respektimin e të drejtës së kthimit në pronat e veta për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, gjuhe apo feje”, thuhet në deklaratën për media të kryeministrit Hashim Thaçi.

“Aktet e dhunës, pa marr parasysh motivet dhe akterët, dëmtojnë angazhimet tona. Andaj edhe kërkojmë nga organet e drejtësisë që të ndriçohet rasti dhe akterët të vihen para drejtësisë. Dhuna dhe pasiguria nuk do të kenë perspektivë në shtetin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Dy persona, me përkatësi serbe, rreth moshës 55 vjet, të premten mbrëma janë gjetur të vrarë në fshatin Talinovc të komunës së Ferizajt, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Sipas këtyre zyrtarëve, M.J dhe L.J, bashkëshortë, janë gjetur të vdekur nga një fqinj, i cili kishte shkuar në shtëpinë e tyre për të mbushur ujë, dhe më pas kishte lajmëruar organet e rendit.

“Janë gjetur dy gëzhoja të kalibrit 7. 62. Të dy viktimat e kanë vetëm nga një plagë vdekjeprurëse. Prokurori i qarkut gjithashtu ka dalë në vendngjarje. Ende është duke vazhduar ekzaminimi në vendin e ngjarjes, në perimetër më të gjerë. Për momentin, nuk kemi të arrestuar dhe as të dyshimtë, por kemi pista të mundshme, mbi të cilat janë duke u zhvilluar hetimet”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi I Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.
XS
SM
MD
LG