Ndërlidhjet

Dy serbë të vrarë në Talinovc, përjashtohet motivi etnik


Ilustrim
Ilustrim
Dy persona, me përkatësi serbe, rreth moshës 55 vjeç, të premten në mbrëmje janë gjetur të vrarë në fshatin Talinovc të komunës së Ferizajt, njoftuan zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Çifti bashkëshortor, Milovan dhe Liljana Jevtiq, janë gjetur të vdekur nga një fqinj, i cili, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, kishte shkuar në shtëpinë e tyre për të mbushur ujë, dhe më pas, lidhur me rastin, i kishte njoftuar organet e rendit në orët e vona të mbrëmjes.

“Rreth orës 20: 40 jemi informuar nga një fqinj, i cili ka shkuar aty të mbushë ujë. I ka parë viktimat, në korridor dhe njëri ka qenë në banjë, pa shenja jete. Policia ka shkuar në vend të ngjarjes. Mjeku e ka konstatuar vdekjen e tyre”, konfirmoi Gashi.

Zëdhënësi i Policisë, Gashi, i tha Radios Evropa e Lirë se policia ka ndërmarrë të gjitha masat në vendin e ngjarjes, ku kanë dalë edhe hetuesit e Drejtorisë për krime të rënda dhe ata rajonalë.

“Janë gjetur dy gëzhoja të kalibrit 7. 62. Të dy viktimat e kanë vetëm nga një plagë vdekjeprurëse. Prokurori i Qarkut, gjithashtu, ka dalë në vendngjarje. Ende është duke vazhduar ekzaminimi në vendin e ngjarjes, në perimetër më të gjerë. Për momentin, nuk kemi të arrestuar dhe as të dyshimtë, por kemi pista të mundshme, mbi të cilat janë duke u zhvilluar hetimet”, tha Gashi.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë përjashtuar motivin etnik si të mundshëm në vrasjen e çiftit Jevtiq në Talinovc të Ferizajt.

Zëdhënësi Gashi Gashi, i tha Radios Evropa e Lirë se motivi etnik nuk ekziston.

“Ky (Milovan Jevtiq) ka qenë bashkëpunëtor i institucioneve të Kosovës. Ka qenë shumë aktiv, ka punuar për kthimin e serbëve dhe për bashkëjetesë. Ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë i institucioneve. Nuk vjen në shprehje motivi etnik”, sqaroi Gashi.

Ai, gjithashtu, shtoi se Policia e Kosovës, ka pasur disa informacione dhe për shkak të dyshimeve lidhur me vrasjen në Talinovc, ka bastisur dy shtëpi. Sipas tij, është bastisur shtëpia e një serbi në Talinovc dhe e një shqiptari në Ferizaj, por nuk është gjetur asnjë gjurmë që do të ishte domethënëse për policinë.

Ndryshe, mediat serbe kanë theksuar se bashkëshortët, të cilët janë vrarë të premten në Talinovc, kanë qenë serbë të kthyer në Kosovë në vitin 2004.

Lidhur me vrasjen e qytetarëve serbë të Kosovës në Talinovc, ka reaguar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Përmes një komunikate për media, presidentja Jahjaga ka shprehur indinjatën e thellë dhe ka dënuar vrasjen me armë zjarri të dy qytetarëve serbë.

Zëdhënësi i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, i tha Radios Evropa e Lirë se presidentja ka kërkuar nga organet e rendit që sa më parë të zbardhin rastin dhe t’i sjellin autorët krimit para organeve të drejtësisë.

“Kjo vrasje makabre është akt kriminal i patolerueshëm, në kundërshtim me vlerat e shoqërisë që po ndërton Kosova, si një shtet qytetar që respekton të drejtat dhe liritë e secilit individ dhe secilit komunitet”.

“Institucionet e vendit janë të përkushtuara që të ndihmojnë dhe ta garantojnë secilin qytetar të Republikës së Kosovës që të kthehet në shtëpinë e vet, si realizim i një të drejte themelore të njeriut. Presidentja e Kosovës kërkon nga organet e ndjekjes që sa më shpejt ta zbardhin rastin dhe t’i kapin dhe sjellin përpara drejtësisë autorët e vrasjes”, u shpreh Vllahiu.

Reagim lidhur me vrasjen e dyfishtë në Talinoc, bëri edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Përmes një komunikate për medie, ai e dënoi këtë akt.

“Me indinjatën më të thellë dënoj aktin e vrasjes së dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, në fshatin Talinovc të komunës së Ferizajt. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj kanë shprehur angazhimin dhe vullnetin e tyre për respektimin e të drejtës së kthimit në pronat e veta për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, gjuhe apo feje”.

“Aktet e dhunës, pa marrë parasysh motivet dhe akterët, dëmtojnë angazhimet tona. Andaj, edhe kërkojmë nga organet e drejtësisë që të ndriçohet rasti dhe akterët të vihen para drejtësisë. Dhuna dhe pasiguria nuk do të kenë perspektivë në shtetin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës”
, thuhet në komunikatën e kryeministrit Thaçi.

Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, e dënoi vrasjen e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, me përkatësi të komunitetit serb, në fshatin Talinovc të komunës së Ferizajt, duke e quajtur këtë akt të shëmtuar dhe të neveritshëm.

“Aktet e tilla kriminale janë të dënueshme, të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit të vendit”, theksoi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke kërkuar nga organet e rendit dhe të drejtësisë që ta ndriçojnë rastin dhe akterët sa më parë të marrin dënimin e merituar.
XS
SM
MD
LG