Ndërlidhjet

Tadiq: Shtrëngimi i duarve ka "dimension simbolik"

  • RFE /RL

 Hashim Thaçi dhe Boris Tadiq

Hashim Thaçi dhe Boris Tadiq

Kryetari i Partisë Demokratike Boris Tadiq ka thënë se duarshtrëngimi me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi në Dubrovnik ka një “dimension simbolik” dhe se si gjesti i duarshtrëngimit ashtu edhe pjesëmarrja në forum nuk ka shkelur asnjë akt politik shtetëror.

“Ky është një moment që ka dimension simbolik, nuk duhet as nënvlerësuar, por as nuk është akt aq i madh me pasoja të mëdha. Është shumë me rëndësi që të zhvillohen bisedime dhe të gjendet zgjidhja për Kosovën”, ka thënë ish presidenti serb për mediat serbe.

Ai ka thënë se shtrëngimi i duarve nuk ka asnjë domethënie historike dhe nuk duhet mbiçmuar, por duhet parë vetëm si një shtrëngim duarsh me një përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës, dhe se do të ishte hipokrizi po të mos i fliste Thaçit, meqë me të njihet që më parë.


Thaçi e Tadiq shtrëngojnë duart në Dubrovnik

Konferenca ndërkombëtare "Samiti i Kroacisë 2012" në Dubrovnik, ka mundësuar takimin mes ish presidentit serb, Boris Tadiq dhe kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit, të cilin mediat e vlerësuan si takim historik.

Zyrtarët dhe politikanët e Beogradit e kanë bojkotuar zyrtarisht takimin e liderëve rajonalë të vendeve të Evropës Juglindore në Dubrovnik, duke iu shmangur kështu çfarëdo njohjeje zyrtare të pavarësisë së Kosovës.

Serbia refuzon që të marrë pjesë në takimet ku janë të pranishëm edhe liderët kosovarë, në shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Tadiq, që ka humbur zgjedhjet presidenciale në muajin maj, kundrejt kandidatit nacionalist Tomisllav Nikolliqit, më parë ka shmangur ndonjë kontakt direkt me politikanët e lartë kosovarë.

Por, ai ka marrë pjesë pas ftesës së kryeministrit kroat, Zoran Milanoviq, i cili e ftoi atë si “ish president dhe lider i partisë së madhe serbe, e cila teknikisht është ende në qeveri”.

Duarshtrëngimi është një gjë e mirë, mendoj që vendos standarde të mira për të ardhmen”, ka thënë para gazetarëve", Millanoviq.

Megjithatë, vetë Tadiq, ka thënë se shtrëngimi i duarve me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi nuk ka domethënie historike, por është gjest i mirë, për shkak se dy popujt kanë probleme që duhet t'i zgjidhin.

"Sa për duarshtrëngimin me kryeministrin e Kosovës Thaçi, nuk ka ndonjë rëndësi historike, por është mirë që të takohen përfaqësuesit e vendeve të ndryshme e edhe përfaqësuesit shqiptarë e serbë", tha Tadiq në një deklaratë telefonike për agjencinë serbe Tanjug.

Kryeministri I Kosovës Hashim Thaçi nuk ka bërë ndonjë koment në lidhje me duarshtrëngimin. (a.i.)



Trego komentet

XS
SM
MD
LG