Ndërlidhjet

Jahjaga: Vendimi i Kushtetueses-përfundimtar


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka quajtur përfundimtar vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e propozimeve të amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Është ky vendim përfundimtar në këtë çështje i autoritetit më të lartë kompetent e të pavarur të vendit, të cilin unë si Presidente, me mandat që të mbroj ligjin dhe Kushtetutën, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e vendit, jam e obliguar ta zbato”, ka thënë Jahjaga përmes një deklarate për media.

Kushtetuesja ka vendosur të premten se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën.

“Në një kohë, kur më është kërkuar ta marrë mandatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, unë me përkushtim dhe përgjegjësi e kam pranuar këtë detyrë. Duke mos qenë pjesë e marrëveshjes politike, por rezultat i saj, zgjedhja ime me votimin në Kuvendin e Republikës se Kosovës, me të cilën zgjedhje u kapërcye kriza, u bë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011, pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Me këtë marrëveshje përfshihej edhe pajtimi për ndryshimin e Kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.

“Vendimi i Gjykatës i jep përkrahje të plotë aspekteve të marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar dhe unë do të respektoj dhe zbatoj ato. Ashtu siç kanë dëshmuar konsultimet e Kuvendit të Kosovës, ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës e gëzojnë mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe ne si liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike jemi të obliguar ta dëgjojmë zërin e qytetarëve tanë”, ka thënë Jahjaga.

Duke pasur këtë parasysh, inkurajoj të gjitha partitë të përfaqësuara në Kuvend të jetësojnë reformat e aprovuara nga Gjykata Kushtetuese, ka thënë presidentja Jahjaga.
XS
SM
MD
LG