Ndërlidhjet

logo-print
VOX

Përfitime dhe përvoja të shkëlqyera nga Universiteti Veror


Ilustrim

Ilustrim

Edicioni i sivjetmë i Universitetit Veror të Prishtinë, i 12-i me radhë, është duke u përcjellë me interesim nga studentë të shumtë, nga vende të ndryshme perëndimore dhe nga vendet e rajonit.

Universiteti Veror i Prishtinës, në të cilin po marrin pjesë rreth 500 studentë, përfshirë 130 ndërkombëtarë, konsiderohet të jetë shembull i mirë i bashkëpunimit rajonal.



Arbenita Namoni, studente e Fakultetit të Filologjisë, dega e Gjuhës Angleze, po ndjek njërin nga kurset e Universitetit Veror. Ajo jep më shumë hollësi për Radion Evropa e Lirë, për të rubrikën tonë të përjavshme VOX:

“Vitin e kaluar kam marrë pjesë në njërin nga kurset dhe mendoj që është një përfitim i mirë. Sivjet ka pasur shumë kurse dhe konkurrencë të madhe. Zakonisht nga 15 studentë pranohen në njërën lëmi. Unë kam aplikuar shkathësitë e integruara gjuhësore, pasi që unë studioj anglishten, por nuk jam pranuar në atë kurs, dhe jam pranuar në politikat evropiane”.

Ndërkaq, Arbër Canhasi, student mendon se studentët janë duke përfituar mjaft nga Universiteti Veror, sidomos nga ligjëratat prej profesorëve ndërkombëtarë.

“Është një përvojë shumë e mirë, se përveç përvojës në mësime, jemi një ekip shumë i mirë. Ka mundësi shumë të mira të mësojmë prej profesorëve, si ata ndërkombëtarë ashtu edhe nga ata vendorë”, thotë Arbër Canhasi.

Brikenda Mehaj, studion psikologjinë. Ajo ndjek kursin për parimet për strategji dhe ndihmë humanitar. Sipas saj, për t’u bërë pjesë e Universitetit Veror ka qenë e vështirë, por tash është mjaft e kënaqur me përvojat që po merr aty.

“Përfitoj shumë nga Universiteti Veror. Mendoj se është një përvojë shumë e mirë. Ndjek kursin Parimet për strategji dhe ndihmë humanitare. Unë studioj psikologji dhe kjo ndërlidhet me profesionin. Kursi do të zgjasë nga 8 korriku deri më 20 korrik. Ka qenë e vështirë të pranohem - është dashur ta kem notën mesatare të mirë dhe të përshtatet kursi i përzgjedhur me profesionin”, tregon Brikenda Mehaj.

Pjesë e Universitetit Veror është edhe Labinot Elshani, i cili është pranuar për herën e dytë si student aty. Ai jep më shumë hollësi rreth organizimit për këtë universitet:

Është hera e dytë që përzgjidhem si student në Universitetin Veror. Është një përvojë shumë e mirë për studentët, sepse krijojnë raporte me studentë nga Evropa dhe shkëmbejnë përvojat e tyre mes vete. Gjuha angleze është e obligueshme, sepse pjesëmarrës janë edhe studentë nga Evropa dhe ligjëratat janë në gjuhën angleze. Studentët sistemohen në Qendrën e Studentëve - ata paguajnë nga 1 euro derisa ata ndërkombëtarë e kanë pa pagesë. Studentët e Universitetit të Prishtinës pajisen me një certifikatë, e që vlerësohet me 4 kredi në bazë të sistemit të Bolonjës, e që është mirë për karrierën e tyre”.

Erëza Kelmendi mendon se studentët vendorë janë ata që po përfitojnë përvoja të reja nga profesorët ndërkombëtarë.

“Unë jam pranuar në Universitetin Veror. Është interesant, diçka më ndryshe. Unë e kam zgjedhur edukimin si temë, sepse ndërlidhet me studimet e mia, meqë studioj Gjuhën angleze. Përfitoj edhe nga studentët edhe nga profesorët që ka edhe ndërkombëtarë”, shprehet Erëza Kelmendi.

Ndërkaq, Leonard Hoti, mendon se përveç studentëve nga Kosova, përvoja të mira marrin edhe studentët e huaj, duke përmendur këtë përvojë edhe si një shkollim pa pagesë:

“Universiteti Veror u ka shërbyer mjaft studentëve. Edhe për studentët e huaj është më ekonomike të vijnë në Prishtinë, pasi që rimbursohen shpenzimet e tyre, si ushqimi, fjetja. Të gjitha janë të mbuluara nga UP-ja”.

Më shumë hollësi lidhur me interesimin për Universitetin Veror të Prishtinës jep njëri ndër organizatorët, Mentor Kadriu.

“Interesimi i studentëve është i madh. Kemi pasur 1300 aplikacione derisa janë përzgjedhur rreth 500 studentë. Janë 23 kurse nga fusha të ndryshme për studim. Profesorët janë edhe vendorë edhe ndërkombëtarë. Sstudentë ndërkombëtarë janë pranuar rreth 130 sosh, si nga Evropa, Ballkani dhe Amerika. Bashkëpunimi ndërmjet studentëve është shumë i mirë. Sivjet është edicioni i XII i Universitetit Veror”, bën të ditur Mentor Kadriu.

Por, ka edhe studentë të tillë, që për shkak të obligimeve ndaj fakultetit ku ata studiojnë, nuk u ka premtuar koha që të ndjekin ndonjërin nga kurset që ofron Universiteti Veror këtë vit. Një prej tyre është Fatbardha, studente e Fakultetit Ekonomik.

“Nuk kam shumë informata për Universitetin Veror. Jo që nuk kam qenë e interesuar, por provimet dhe obligimet tjera të universitetit, nuk më kanë lejuar”, thotë Fatbardha.

Ky projekt është dëshmuar si një mjet i shkëlqyer për ta ndihmuar Universitetin e Prishtinës në zbatimin e Procesit të Bolonjës dhe në ndërkombëtarizimin dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve në nivel rajonal e më gjerë, si dhe i ka fuqizuar proceset e vazhdueshme të reformimit.

Sistemi Evropian për Transfer të Kredive është prezantuar si element qendror i Universitetit Veror të Prishtinës dhe të gjitha certifikatat e lëshuara nga UVP-ja njihen nga universitetet e tjera evropiane që e përdorin këtë sistem.

Universiteti Veror në Prishtinë do të jetë i hapur deri më 20 korrik.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG