Ndërlidhjet

Shumë këshilla, pak efekte


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Në Kosovë janë të themeluar një numër i konsiderueshëm i këshillave kombëtarë.

Këshillat janë themeluar për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, me të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës. Ndër ta janë edhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës, Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, Këshilli për Integrim Evropian, Këshilli Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës dhe të tjerë, e që disa prej tyre asnjëherë nuk kanë mbajtur ndonjë takim.

Sipas disa organizatave joqeveritare në Kosovë, këta këshilla kombëtarë janë krijuar, por nuk janë duke bërë një punë të mirëfilltë.

Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse këta këshilla kombëtarë do të funksionin ashtu si duhet, atëherë zgjidhja e problemeve në fusha të caktuara do të ishte më e mirë dhe më e lehtë.
Problemi më i madh është se këta këshilla kombëtarë nuk po japin zgjidhje të këtilla dhe nuk po japin ide si të tejkalohen problemet.

“Themelimi i këshillave nuk është detyrimisht ide e keqe, përkundrazi mund të jetë një ide shumë e mirë nëse bëhen forume, në të cilat do të preken probleme dhe do të jepen ide alternative për t’i zgjidhur problemet. Problemi më i madh është se këta këshilla kombëtarë nuk po japin zgjidhje të këtilla dhe nuk po japin ide si të tejkalohen problemet”, thotë Arifaj.

Njëri nga këta këshilla, i cili ka qenë më se i nevojshëm për adresimin e problemeve është Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Ky këshill është themeluar me qëllim që të koordinojë aktivitetet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe të rrisë vetëdijen e shoqërisë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.



Ndërkaq, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, i cili është organi më i lartë i sigurisë në vend, ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e Kosovës. Ai rekomandon politika dhe strategji për sigurinë. Gjithashtu, ofron informata dhe vlerësime të gjendjes së sigurisë në Kosovë, që t’i mundësojë Qeverisë së Republikës së Kosovës marrjen e vendimeve përkatëse lidhur me çështjet e sigurisë.

Sidoqoftë, sipas Arifajt, këta këshilla kombëtarë nuk kanë pasur ndonjë efekt dhe se rekomandimet e tyre nuk janë trajtuar nga institucionet ekzekutive.

“Problemi qëndron aty se po krijohen sa për sy e faqe dhe jo për të kryer një punë të mirëfilltë. Çka është më rëndësi se deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se institucionet ekzekutive i kanë marrë parasysh rekomandimet e këtyre këshillave”, thekson Arifaj.
Problemi qëndron aty se po krijohen sa për sy e faqe dhe jo për të kryer një punë të mirëfilltë.

Në Kosovë së fundi është funksionalizuar edhe Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili ka për qëllim përmirësimin e ambientit biznesor në Republikën e Kosovës, si dhe zbatimin e masave më efektive në rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit, në harmoni me praktikat më të mira rajonale dhe ndërkombëtare.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë këshill kanë adresuar disa kërkesa dhe se presin që rekomandimet e tyre të merren parasysh nga ministritë kompetente.

“Kërkesa jonë e parë ka qenë për ndryshimin e Ligjit të punës dhe dispozitave që rregullojnë pushimin e lehonisë. Ne jemi të vetëdijshëm që një kërkesë e tillë merr kohë për t’u procesuar dhe përfshin edhe aktorë tjerë. Ne, gjithsesi, do të vazhdojmë diskutimin dhe debatin edhe me palët tjera të interesit duke përfshirë këtu edhe anëtarë të Kuvendit, deputetë të Kuvendit me qëllim që ata të binden për nevojat e ndryshimit të ligjit në fjalë”, shprehet Zeka.

Zeka kërkon që të gjitha rekomandimet që dalin nga ky këshill të merren parasysh nga Qeveria dhe institucionet kompetente.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha kërkesat që dalin nga ky këshill, adresohen.

“Si hapa të ardhshëm të këtij këshilli janë që në takimin e ardhshëm, i cili do të mbahet javën e ardhshme, që secila ministri ka pasur për obligim të rifreskojë listën me licencat dhe lejet. Është premtuar edhe në planin për zhvillim ekonomik që deri në vitin 2014 do të eliminohen 50 për qind e licencave ekzistuese”, thekson Istrefi.
XS
SM
MD
LG