Ndërlidhjet

Premtohen 16 miliardë dollarë për Afganistanin

  • RFE /RL

Donatorët ndërkombëtarë në takimin në Tokio, 8 korrik 2012

Donatorët ndërkombëtarë në takimin në Tokio, 8 korrik 2012

Donatorët ndërkombëtarë në takimin në Tokio premtuan të dielën rreth 16 miliardë dollarë ndihmë për zhvillimin e Afganistanit deri në vitin 2015. Donatorët, gjithashtu, u zotuan të vazhdojnë ndihmat për Kabulin deri në vitin 2017, në ose pranë niveleve të dekadës së kaluar.

Konferenca e së dielës, ku morën pjesë përfaqësues të mbi 70 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, kishte për qëllim mbushjen e hendekut mes asaj që Kabuli merr nga ekonomia që mezi funksionon dhe asaj që duhet për t’u zhvilluar në një vend të qëndrueshëm.

Kabuli gjeneron vetëm një të tretën e 6 miliardë dollarëve që shpenzon çdo vit, duke mos llogaritur shpenzimet e sigurisë, dhe është tepër i varur në ndihmat e huaja.

Zotimet vijnë derisa qeveria afgane është pajtuar me kushtet e reja për të përmirësuar qeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit endemik.

Presidenti afgan, Hamid Karzai, siguroi se Afganistani “do të mbetet i palëkundur në angazhimet në këtë partneritet historik."

Ndërkohë, zëdhënësi i presidenti afgan, Email Faizi, duke folur për Radio Afganistanin e Lirë të RFE/RL-së, tha se Kabuli ka një plan për të siguruar se ndihmat ndërkombëtare janë shpenzuar në mënyrë të duhur dhe nuk janë keqmenaxhuar.

"Komuniteti ndërkombëtar nuk po e jep lehtë këtë shumë në Afganistan. Në këmbim, ata kërkojnë disa përpjekje. Lufta kundër korrupsionit, qeverisja e mirë, dhe forcimi i institucioneve qeveritare janë disa nga pikat që i thekson komuniteti ndërkombëtar. Qeveria afgane, gjithashtu, ka një plan të veçantë vitet e ardhshme, me të cilin do të përqendrohet më shumë në forcimin e institucioneve të veta, në luftimin e korrupsionit dhe në qeverisjen e mirë”, tha Faizi.

Afganistani ka marrë afër 60 miliardë dollarë ndihma, që nga viti 2002, por korrupsioni mbetet i pakontrollueshëm.

“Transparency International” në vitin e kaluar tha se Afganistani është vendi i dytë më i korruptuar në botë.

Ndërkohë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se beson qw zotimet e komunitetit ndërkombëtar, do ta çojnë Afganistanin drejt rrugës së “pavarësisë”.

"Unë besoj se ne kemi bërë ndërmarrë me të vërtetë një angazhim të mirë për ta vënë Afganistanin në rrugën drejt pavarësisë ekonomike. Derisa kapacitetet dhe të hyrat afgane rriten, kontributet tona mund të bien”, theksoi Klinton.

Në fund të konferencës një ditore në Japoni, vendet donatore ranë dakord për të mbajtur një konferencë pasuese në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2014.(a.i)
XS
SM
MD
LG