Ndërlidhjet

logo-print

(Mos)aplikimi i gjuhës shqipe në Kuvendin maqedonas


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Defektet e shumta teknike në kanalin televiziv të Kuvendit të Maqedonisë dhe transmetimi i fjalimeve të deputetëve shqiptarë me përkthim në gjuhën maqedonase, ka shkaktuar një valë pakënaqësish nga ana e tyre. Deputetët opozitarë kërkojnë që kjo çështje të rregullohet pa asnjë ndërhyrje, reskpektivisht, fjalimet e tyre të përcillen në mënyrë origjinale, pa përkthim.

Aktualisht, fjalimet e deputetëve shqiptarë përcillen në gjuhën shqipe në një frekuencë të posaçme të këtij kanali, megjithatë edhe këtu paraqiten pengesa meqë shumë operatorë kabllovik seancat e Kuvendit i transmetojnë vetëm në frekuencat kryesore, që do të thotë se fjalimet e deputetëve shqiptare dëgjohen vetëm në përkthim - në gjuhën maqedonase.

Deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, qasjen e kanalit të Kuvendit ndaj gjuhës shqipe e krahason me regjimet e ndryshme diktatoriale në botë.

“Republika e Maqedonisë, kështu si po ndodh, po i ngjason jo vetëm Koresë Veriore, por edhe Bjellorusisë dhe Sirisë. Qytetarët e kanë këtë perceptim duke parë se në çfarë ujërash ka hyrë Qeveria dhe Republika e Maqedonisë”.

”Në rast se deputetit maqedonas i jepet mundësia që zëri i tij të transmetohet direkt pse deputetit shqiptar të mos i lejohet ajo mundësi që qytetari shqiptar zërin e tij ta përcjellë drejtpërdrejt në gjuhën amtare”
, deklaron deputeti Ibrahimi.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të kanalit të Kuvendit, deputetët e shumicës parlamentare propozuan formimin e një trupi të posaçëm, i cili do të shqyrtonte gjithë situatën e krijuar dhe do të dilte me një raport, nga i cili edhe do të propozohej zgjidhje, por kjo është kundërshtuar nga opozita shqiptare.

“Nëse mbetemi në qëndrimin që vetëm të flasim për problemin dhe të mos kërkojnë zgjidhje, atëherë kjo dëshmon se kjo çështje keqpërdoret. Duhet të formojmë një grup punues për caktimin e fakteve. Qytetarët kanë të drejtë të përcjellin kanalin parlamentar, por jo edhe obligim meqë nëse insistohet në këtë, atëherë në vërtetë do t’i ngjanim Koresë Veriore”, shprehet Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-ja.

Por, nga ana tjetër, kërkesa e deputetëve të opozitës vlerësohet e drejtë edhe nga ekspertët për çështje juridike. Ruhi Bakiu thotë se nuk ka logjikë që qytetarët shqiptarë fjalimet e deputetëve që i përfaqësojnë, t’i përcjellin me përkthim në gjuhën maqedonase. Ai thotë se seancat duhet të përcillen pa përkthimin në frekuencën kryesore, ndërsa në frekuencën e dytë, ato të përkthehen që të mund të kuptohen edhe nga të tjerët.

“Nuk ka asnjë logjikë që diskutimet të mbahen në gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë dhe nga ana tjetër, votuesve të po të njëjtëve deputetë, këto fjalime t’u servohen në gjuhën maqedonase. Edhe përkthimet që bëhen nga ana e përkthyesve të angazhuar nga ana e deputetëve të Maqedonisë shpeshherë duket shumë qesharake, pasi përmes përkthimit të jepen mesazhet e qarta deri te votuesit e deputetëve, të cilët e kërkojnë këtë të drejtë”, vlerëson Bakiu.

Ndryshe, kuvendi televiziv ka qenë në shënjestër të kritikave edhe për shkak të skemës programore, pasi në të jashtë aktiviteteve parlamentare transmetohet program vetëm në gjuhën maqedonase.
XS
SM
MD
LG