Ndërlidhjet

Takimi Thaçi - Tadiq, normal dhe i vonuar


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-presidenti serb, BorisTadiq në Dubrovnik, 7 korrik 2012.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-presidenti serb, BorisTadiq në Dubrovnik, 7 korrik 2012.
Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-presidentit serb, Boris Tadiq, i cili ka ndodhur ditën e shtunë në konferencën ndërkombëtare "Samiti i Kroacisë 2012", në Dubrovnik, ka nxitur reagimet e partive opozitare dhe njohësve të rrethanave politike në Kosovë.

Këta të fundit e quajnë të vonuar këtë takim dhe shtrëngim duarsh ndërmjet Thaçit dhe Tadiqit, ndërkohë që përfaqësuesit e partive politike opozitare e konsiderojnë si një gjest normal, i cili ndodh në konferenca ndërkombëtare.

Lutfi Haziri, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-presidentit serb, Boris Tadiq, nuk mund të vlerësohet si historik, ashtu siç e kanë vlerësuar mediat.

Sipas tij, ky takim nuk është i pari, por i treti dhe se dy takimet e mëhershme kanë ndodhur në rrethana kur kryeministri aktual i Kosovës ka qenë në opozitë, ndërkaq që Tadiqi, ka qenë pozitë në Serbi. Takimi në Dubrovnik, thotë Haziri, ndodhi në rrethana tjera, kur Thaçi tashmë është në pozitë në Kosovë, ndërkaq Tadiqi në opozitë në Serbi.

“Është folur shumë në Kosovë për takime të fshehta dhe mundësinë e takimeve tjera. Ky samit i Dubrovnikut, i cili është i rëndësishëm për BE-në dhe Ballkanin në veçanti, solli deri te një takim, i rastit, por jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mes të kryeministrit të Kosovës dhe ish-presidentit serb, që duhet shikuar në rrafshin e sjelljeve të mira politike. Nuk mendoj që ka impakte tjera, përveç që, më në fund, është bërë diçka publikisht, ndonëse është folur gjithmonë për takim e të fshehta”, thotë Haziri.

Burim Ramadani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e vlerëson si normal takimin ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe ish-presidentit serb, Tadiq, në qoftë se, siç thotë ai, ky takim ka përfunduar vetëm me një shtrëngim duarsh.

“Si Aleancë, ne nuk do të donim të besonim se ka pasur më shumë se një shtrëngim të duarve. Përndryshe, nëse ka pasur diçka më shumë sesa vetëm shtrëngim të duarve kuortazie, atëherë duhet të ketë informim të qartë dhe të detajuar të të gjithë asaj që ka ndodhur, nga ana e kryeministrit Thaçi”.

“Përndryshe, është e ditur se në samite ose konferenca rajonale apo ndërkombëtare, këto lloj shtrëngime duarsh janë normale dhe në të njëjtën kohë ne shprehim bindjen se Kosova nuk ka nevojë të fshihet nga askush”,
shprehet Ramadani.

Në anën tjetër, politologu Behlul Beqaj konsideron se takimi ndërmjet Thaçit dhe Tadiqit është i vonuar dhe se një gjë e tillë, sipas tij, mbase është dashur të ndodhë shumë më herët.

“Çdo takim mund të ndikojë pozitivisht tek ata, të cilët janë të gatshëm që të bashkëpunojnë dhe tek ata, të cilët, përmes takimit, tregojnë që në një mënyrë apo tjetër janë të gatshëm që ta rishikojnë edhe politikën e gabuar, qoftë të veten apo të paraardhësve të tij”.

“Në këtë kuptim, mendoj se ky takim është i vonuar, por megjithatë është inkurajues për krijimin e kushteve, klimës dhe ambientit për takime të ardhshme, ngase ne, deshëm apo jo, Serbinë e kemi fqinj dhe me fqinjin duhet të kemi gjithmonë gatishmëri që të bashkëpunojmë në interesin e ndërsjellë”
, vlerëson Beqaj.

Por, pse takimi dhe shtrëngimi i duarve me kryeministrin Thaçi nuk ka ndodhur përderisa Boris Tadiq ka qenë president?

Politologu Beqaj, vlerëson se ky fakt tregon për pozicionimet e te dyja palëve që udhëheqin me vendet e tyre.

“Gjithsesi, kjo tregon se pala shqiptare ka qenë gjithmonë e hapur për takim, ndërkaq, pala serbe, në rastin konkret presidenti Tadiq, ka kalkuluar për shkak të situatës, e cila ishte në Serbi dhe u vërtetua se Serbia ende nuk është liruar nga e kaluara, nga trashëgimia dhe mentaliteti i kontaminuar nacionalist”, shton Beqaj.

Ndryshe, zyrtarët e Beogradit e kanë bojkotuar zyrtarisht takimin e liderëve rajonalë të vendeve të Evropës Juglindore në Dubrovnik, duke iu shmangur kështu çfarëdo njohjeje zyrtare të pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG