Ndërlidhjet

logo-print

Siri: Anan e Asad gjejnë gjuhë të përbashkët?

  • RFE /RL

Luftime në Siri...

Luftime në Siri...

Emisari ndërkombëtar për konfliktin në Siri, Kofi Anan, tha se është pajtuar me presidentin e Sirisë, Bashar Al Asad për qasjen rreth dhënies fund të dhunës në Siri.

Anan nuk dha detaje, por tha se do ta diskutojë këtë çështje edhe me opozitën e armatosur të vendit.

Komentet e tij, Anan i bëri para gazetarëve në kryeqytetin sirian pas një takimi dy-orësh me Asadin.

Para takimit Asad akuzoi Arabinë Saudite, Katarin dhe Turqinë për furnizimin me armë dhe gjëra të tjera të rebelëve si përpjekje për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Pengesa më e madhe është që shumë shtete nuk duan që plani i tij të ketë sukses, andaj dhe ofrojnë mbështetje politike dhe vazhdojnë t’i furnizojnë me armë dhe para terroristët në Siri”, i tha Asad televizionit gjerman Das Erste më 5 korrik.

Asad tha se shumica e “viktimave” të dhunës në Siri ishin mbështetës të qeverisë.

Nëse dëshironi të dini kush ka vrarë, duhet fillimisht të dini se kush është vrarë. Nuk mund të flisni mbi krimet pa ditur ndonjë gjë mbi viktimat. Ato viktima për të cilat po flisni, shumica prej tyre, janë mbështetës të qeverisë. Andaj, si mund të jeni krimineli dhe viktima në të njëjtën kohë?”, tha ai.

Anan arriti të dielën në hotelin Dama Rose në Damask, ku vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara janë duke qëndruar që nga suspendimi i patrullave të tyre për shkak të ngritjes së nivelit të dhunës në vend.

Derisa Asad është përballur me sanksione dhe dënimin e veprimeve të tij nga pothuaj e gjithë bashkësia ndërkombëtare, fuqitë kryesore perëndimore dhe arabe janë distancuar nga ndërhyrja e drejtpërdrejt ushtarake.

Turqia ka rivendosur dhe fuqizuar kufijtë e saj, ndërsa ka vënë në funksion disa herë aeroplanët ushtarakë që pas rrëzimit të një aeroplani turk nga forcat siriane më 22 qershor.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, tha të dielën se forcat opozitare siriane janë duke rritur efikasitetin e tyre. Andaj, theksoi ajo, sa më shpejt që t’i jepet fund dhunës aq më të mira do të ishin gjasat që qeveria e Sirisë të kursehet nga “një goditje katastrofale” të luftëtarëve rebelë.

E ardhmja duhet të jetë mjaft e qartë për ata që mbështesin regjimin e Asadit. Janë numëruar ditët dhe nëse është e mundur që sa më parë t’i jepet fund dhunës dhe të iniciohet një tranzicion politik, jo vetëm se do të vdesin më pak njerëz, por do të ketë një mundësi për ta shpëtuar shtetin sirian nga një goditje katastrofale, e cila do të ishte shumë e rrezikshme jo vetëm për Sirinë por për tërë rajonin”, tha Klinton gjatë një konference për media në Tokio për të shtuar se “rëra po ikën nga ora e xhamit”.

Marina siriane ka gjuajtur, gjatë fundjavës, pesë raketa nga anijet dhe helikopterët në formën e ushtrimit përmes të cilit synohej të demonstrohet aftësia “për t’i mbrojtur brigjet siriane nga çfarëdo agresioni i mundshëm”, njoftojnë mediat shtetërore.

Më shumë se 30 njerëz u vranë të dielën gjatë një bombardimi dhe përleshjeve ndërmjet forcave siriane dhe luftëtarëve rebelë të Ushtrisë për Lirimin e Sirisë, bënë të ditur organizatat për të drejtat e njeriut.

Ndërkohë, përgjatë 16 muajve që kur nisën përleshjet në këtë vend vlerësohet të jenë vrarë më shumë se 16 mijë e 500 njerëz.(e.p.)


*Marrë nga agjencitë e lajmeve
XS
SM
MD
LG