Ndërlidhjet

logo-print

Mesazhet amerikane për Serbinë

  • RFE /RL

Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Filip Gordon me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq

Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Filip Gordon me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq

Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Filip Gordon ka biseduar të hënën në Beograd me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq, dhe pastaj në një takim tjetër me kreun e socialistëve Ivica Daçiq.

Nuk ka pasur deklarata për media pas takimeve, por nga kabineti i presidentit serb është thënë se Gordon ka përçuar mesazhin se SHBA do të bashkëpunojë me cilëndo qeveri, që do të zgjidhet nga Kuvendi i Serbisë.

Po ashtu bëhet e ditur se në takim është folur edhe për Kosovën.

Bojan Al Pinto Bërkiq nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare thotë se pritjet e SHBA-së janë që kjo qeveri në një mënyrë ta shikojë në mënyrë të qetë pavarësinë e Kosovës, ndërsa apelet e zyrtarëve të lartë amerikanë shkojnë në drejtimin se Serbia nuk duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por duhet ta pranojë faktin se Kosova është e pavarur.

Mendoj se për Uashingtonin është me rëndësi që të krijohet jo një politikë e fqinjësisë së mirë, por një zonë e stabilitetit, e cila do të vazhdojë për një periudhë të gjatë dhe e cila me lejimin e qarkullimit të njerëzve, mallrave e shërbimeve do të krijojë një marrëdhënie më kualitative mes Serbisë dhe Kosovës, që sërish nuk do të thotë njohje, por, do të thotë se jeta dhe biznesi funksionojnë”, tha Bërkiq.

Në pyetjen nëse një zhvillim i tillë është i mundshëm me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikolliq dhe me qeverinë në të cilën do të ulen kuadro nga vitet e ’90-ta, Bërkiq përgjigjet.

“SHBA sigurisht se nuk ka shumë arsye që t’i besoj të kaluarës së Partisë Përparimtare të Serbisë, përkatësisht radikalëve, si dhe socialistëve. SHBA sigurisht se llogarit që pa një opozitë nacionaliste qeveria e SNS-së dhe Partisë Socialiste më lehtë do ta pranojnë pavarësinë, por jo ta njohë zyrtarisht atë”.

Gjithashtu, dëshirojnë të përçojnë mesazhin te Boris Tadiqi, që tash është lider i opozitës, se çka pritet nga ai në periudhën e ardhshme, që në një formë do të mbajë anën e qeverisë kur është në pyetje Kosova”, tha Bërkiq.

Në anën tjetër, Erik Gordi, ligjërues mbi politikat e Evropës Jug-lindore në University College në Londër, nuk beson se do të ndryshojë politika e qeverisë së ardhshme ndaj Kosovës.

Ende nuk dihet se kush do të jetë ministër i ardhshëm i Jashtëm. Perëndimi, sigurisht se do të lëshojë alarmin, po që se figura si Borisllav Peleviq, caktohet ministër i Mbrojtjes”.

Nëse vazhdojmë të spekulojmë, mund të pyesim, nëse qeveria e ardhshme ka strategji që ta mbajë në frikë perëndimin, në mënyrë që personalitete të tjera më të kaluar ekstremiste mund të vendosen në pozicione të rëndësishme. Ndërsa sa i përket raporteve të qeverisë së re me Kosovën, mund të thuhet se politika ndaj Kosovës e qeverisë së mëhershme ka qenë ekstremisht e keqe dhe me siguri se edhe kjo qeveri do të vazhdoj atë politikë të keqe”, tha Gordi.

Të shtunën në Dubrovnik të Kroacisë Gordon i ka bërë thirrje Serbisë që ta njohë realitetin e Kosovës së pavarur, duke theksuar se as SHBA dhe as BE nuk pret që Beogradi ta njohë zyrtarisht tani Kosovën.

Ndërkohë, po në Dubrovnik, të shtunën e kaluar, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka shtrënguar duart me ish presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, një gjest ky që nga mediat është vlerësuar si historik.

Vetë Tadiq nuk e ka quajtur të tillë, ndërsa ka munguar një deklarim zyrtar për këtë takim nga ana e kryeministrit Thaçi.(a.i.)
XS
SM
MD
LG