Ndërlidhjet

logo-print

Gjyqi ndaj Mlladiqit, i mbijetuari dëshmon tmerret e luftës


Elvedin Pashiq, dëshmitari i parë i Prokurorisë në procesin gjyqësor kundër Ratko Mlladiqit, Hagë, 09 korrik, 2012

Elvedin Pashiq, dëshmitari i parë i Prokurorisë në procesin gjyqësor kundër Ratko Mlladiqit, Hagë, 09 korrik, 2012

Në Tribunalin e Hagës ka filluar paraqitja e dëshmitarëve në rastin kundër ish komandantit të Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Serbe të Bosnjes, Ratko Mlladiq, dy muaj pas pezullimit të gjykimit.

Si dëshmitar i parë i Prokurorisë u paraqit Elvedin Pashiqi nga Komuna e Kotor Varoshit, i cili i ka shpëtuar ekzekutimit të 150 deri në 200 njerëzve nga ushtarët serbë në Grabovicë.

Më dëshminë e tij, prokuroria ka kërkuar të tregojë se si e ka trajtuar udhëheqja serbe popullatën joserbe në vitin 1992 në 20 komuna ku e mori pushtetin.

Elvedin Pashiq ka treguar se si është dashur të ikë nga fshati i tij Hrvaçani kur ishte 13 vjeç.

“Atë natë kur nisën granatimet e rënda ne ishim të strehuar me fqinjët tanë, mbase 6 familje së bashku, ka qenë e tmerrshme”, ka thënë për agjencinë Reuters, Pashiq.

Zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Nerma Jelaçiq ka folur për fazën e gjykimit të Mlladiqit.

“Ne jemi në fazën kur përfundimisht dëshmitarët mund të nisin dëshmitë në këtë rast. Kemi njoftime nga prokuroria që thonë se do të paraqesin dëshmitë e 413 dëshmitarëve, 200 nga ta do të sillen në gjykatë, ndërkaq të tjerat do të përdoren nga gjyqet e mëhershme”, tha Jelaçiq.

Mlladiq akuzohet për gjenocid për shkak të rolit që ka pasur në rrethimin e Sarajevës dhe për orkestrimin e vrasjes së 8 mijë burrave e djemëve boshnjakë në Srebrenicë më 1995.

Dëshmia e Pashiqit pritet të pasohet nga ajo e këshilltarit të Kombeve të Bashkuara, Dejvid Harlend, i cili do të përqëndrohet në rrethimin e Sarajevës prej 1993 deri më 1995.
XS
SM
MD
LG