Ndërlidhjet

Eurozona i ofron Spanjës 30 miliardë euro

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim


Ministrat e financave të eurozonës kanë rënë dakord mbi kushtet e një pakoje shpëtimi për bankat e Spanjës dhe janë të gatshëm t’i ofrojnë Madridit një shumë fillestare prej 30 miliardë eurosh deri në fund të muajit.

Lëvizja vjen derisa eurozona po përpiqet të sfidojë skepticizmin e tregut mbi tejkalimin e krizës së borxheve.

Por, tregjet aziatike kanë shënuar rënie, sikurse edhe valuta e euros, derisa analistët thonë se marrëveshja është larg nga zgjidhja e problemeve të eurozonës.

Pas nëntë orë bisedimesh, Zhan Klod Xhanker, kreu i grupit të ministrave të financave të eurozonës tha se një memorandum mirëkuptimi me Spanjën do të nënshkruhet formalisht “në gjysmën e dytë të korrikut”, ndërsa 30 miliardë euro do t’i jepen Spanjës në fund të muajit.

Si pjesë e marrëveshjes, ministrat e financave nga të gjithë 27 vendet e BE-së pritet që të miratojnë të martën zgjatjen edhe për një vjet të afatit, kur Spanja duhet ta ulë deficitin buxhetor në 3 për qind.

Ne ia kemi miratuar Spanëjs zgjatjen e afatit për korrigjimin e defekteve të mëdha deri në vitin 2014. Kjo u bazua në vlerësimin pozitiv nga komisioni në lidhje me ndërmarrjen e veprimeve efektive dhe situatës së përkeqësuar ekonomike në Spanjë dhe ndikimin e saj në çështjet buxhetore. Ne presim që Spanja të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur afatin e ri në vitin 2014”, tha Xhanker.

Komisioneri i BE-së për çështjet ekonomike, Oli Ren, ka pranuar sfidat e mëdha me të cilat përballet shteti spanjoll, por ai ka lënë vend për optimizëm. Sipas tij, marrëveshja e arritur mund ët sjellë rezultate.

Ky është një objektiv sfidues, por i arritshëm. Mbi të gjitha, është një objektiv i domosdoshëm. Është thelbësore që sfidat e shumëfishta me të cilat ballafaqohet Spanja- riparimi i sektorit bankar, reformat strukturore për shtytjen e rritjes ekonomike, krijimi i vendeve të punës dhe tejkalimi i çekuilibrit dhe veprimet për të rivendosur qëndrueshmërinë në financat publike- janë adresuar me një vendosmëri të fuqishme”, tha komisioneri Oli Ren.

Të hënën, kostot e huamarrjes së Madridit u rritën në 7 për qind – nivel ky, në të cilin Greqia, Irlanda dhe Portugalia u detyruan më herët të kërkonin kredi shpëtimi. Spanja ka ekonominë e katërt më të madhe në eurozonë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG