Ndërlidhjet

logo-print

IHT: Pak fjalë për rëndësinë e “grimcës së Zotit”


"International Herald Tribune"


Shkruan: Larenc M. Kraus, drejtor i Origins Project në Universitetin e Arizonës, është gjithashtu autor i librit “Një Univers nga asgjëja”.



Javën e kaluar, fizikanët në mbarë botën u ngjitën për kompjuterët e tyre për disa orë për të shikuar transmetimin e drejtpërdrejt të publikimit të lajmit nga shkencëtarët në Large Hadron Collider, afër Gjenevës, se është zbuluar një nga pjesët më të rëndësishme që mungonte në enigmën për krijimin e natyrës.

“Grimca Higgs”, ekzistimi i së cilës u pat supozuar qysh 50 vite më parë duke mundësuar konsistencën ndërmjet parashikimeve teorike dhe vëzhgimeve eksperimentale për grimcat elementare fizike, duket se është zbuluar. Natyra e hollësishme e gjetjes madje lë hapësirë për më shumë zbulime ekzotike që mund të jenë shumë afër.

Është e natyrshme për ata që s’janë aq thellë të përfshirë në kërkimin gjysmë-shekullor për Higgs-in të shtrojnë pyetjen se a duhet t’ia varin veshin këtij zbulimi të brendshëm. Ekzistojnë tri arsye se përse duhet ta bëjnë këtë.

Së pari, zbulimi ia vë kapakun një prej aventurave më të rëndësishme intelektuale në historinë e njerëzimit-një për të cilën duhet të jetë i vetëdijshëm secili që është i interesuar në përparimin e njohurive të veta.

Së dyti, zbulimi bëhet edhe më i rëndësishëm kur merret parasysh pasiguria e aksidentit që mundësoi ekzistencën tonë nga asgjëja-pra, është një dëshmi shtesë se universi i ndjesive tona është vetëm maja e një akullnaje të lartë dhe kryesisht të fshehtë.

Poashtu, përpjekjet për të zbuluar këtë grimcë të vogël paraqesin më të mirën e asaj që shkenca mund t’i ofrojë civilizimit modern.

Parashikimi për ekzistimin e grimcës Higgs solli me vete një revolucion të theksuar që ndryshoi tërësisht botëkuptimin tonë për fizikën e grimcave në pjesën kryesore të shekullit XX.

Vetëm 50 vite më parë, në kohën e avancimeve të mëdha në fizikë, ne dinim për një nga katër forcat kryesore të natyrës-elektromagnetizmin-si teori e plotë dhe e qëndrueshme kuantike. Sidoqoftë, vetëm brenda një dekade pasuese, jo vetëm se i janë shtuar tri nga katër forcat e njohura hetimeve tona, por u zbulua gjithashtu një unitet i ri elegant i natyrës.

U zbulua se të gjitha forcat e njohura mund të shpjegoheshin duke përdorur një kornizë të vetme matematikore dhe se, dy nga forcat-elektromagnetizmi dhe interaksioni i dobët (forca e dobët), ishin në fakt manifestime të ndryshme të një teorie të vetme.

Si mund të jenë të ndërlidhura dy forca aq të ndryshme? Në fund të fundit, fotoni-grimca që e përçon elektromagnetizmin, nuk ka masë, përderisa grimcat që përçojnë forcën e dobët janë shumë masive-gati 100 herë më të rënda se sa grimcat që e përbëjnë bërthamat atomike, pra, një fakt që shpjegon pse forca e dobët është e dobët.

Ajo çfarë kanë treguar fizikani britanik Peter Higgs dhe disa të tjerë është se ekziston një fushë në prapavijë që përshkon të gjithë hapësirën; pastaj dëshmuan se edhe grimcat që përçojnë disa forca si elektromagnetizmin mund të bashkëveprojnë me këtë fushë dhe mund të shfaqin rezistencë në lëvizjen e tyre për t’u ngadalësuar më pastaj.

Si rezultat, këto grimca mund të sillen si të ishin të rënda, si ta kishin një masë. Fizicienti Stiven Vajnberg më vonë aplikoi idenë për një model të forcës së dobët dhe asaj elektromagnetike të propozuar më parë nga Sheldon L. Glasgou, dhe çdo gjë përputhej.

Kjo ide mund të zgjerohet me pjesën e mbetur të grimcave në natyrë, përfshirë protonet, neutronet dhe elektronet që janë përbërës të atomeve në trupat tanë.
Nëse ndonjë grimcë bashkëvepron më shumë me këtë prapafushë, ajo vepron më të rëndë. Nëse bashkëvepron më dobët, ka një veprim më të dobët. Nëse nuk bashkëveprojnë fare, si fotoni, veprimi mbetet pa pasë.

Për çdo sekondë në Large Hadron Collider, gjenerohen mjaft të dhëna për të mbushur më shumë se 1 mijë hard drivera një-terrabajtësh, që është më shumë se informatat në të gjitha libraritë botërore. Logjistika në filtrimin dhe analizimin e të dhënave për gjetjen e grimcës Higgs- e të mos përmendim drejtimin e një prej makinave me komplekse që ka ndërtuar ndonjëherë njeriu, përbën një triumf teknologjik në vete dhe një magji kompjuterike të madhësisë së paparë.

Fizicienti Viktor F. Vajskopf-drejtori i parë i CERN-it, Qendrës Evropiane për Hulumtime Bërthamore e cila operon me zbulimin, i pat krahasuar përshpejtuesit e grimcave të mëdha me katedralet e mëdha gotike të kohës sonë. Sikurse mbetjet e bukura të antikitetit, përshpejtuesit kërkojnë mprehtësinë teknologjike, marrin dekada e më shumë për t’u ndërtuar dhe kërkojnë përpjekje të përqendruara të mijëra punëtorëve. Në CERN, secili prej detektorëve viganë që përdoret për të studiuar përplasjet kërkon angazhimin e mijëra fizicientëve, nga një numër shtetesh e që flasin në dhjetëra gjuhë të ndryshme.

Zbulimi i fundit i Higgs-it mund të mos rezultojë me prodhimin e një rreshkësi të bukës më të mirë apo një veture më të shpejtë. Por, ai flet për kapacitetin e mendjes njerëzore për t’i zbuluar sekretet e natyrës duke i kontrolluar ato me teknologjinë ekzistuese. Të fshehura në diçka që duket të jetë hapësirë boshe, në fakt, që duket të jetë asgjë, e që po bëhet gjithnjë e më interesante, janë elementet që mundësojnë ekzistencën tonë.(e.p.)
XS
SM
MD
LG