Ndërlidhjet

Dënohet sulmi ndaj gazetarit Halil Matoshi


Halil Matoshi
Halil Matoshi
Gazetari dhe publicisti i njohur prishtinas, Halil Matoshi, është sulmuar fizikisht nga tre persona.

Sulmi ka ndodhur të martën mbrëma, nga tre persona, në Lagjen Dardania të Prishtinës.

Rastin në polici e ka paraqitur vetë Matoshi, i cili pastaj u tha gazetarëve se ishte duke ecur rrugës kur një makinë ishte ndalur para tij dhe nga aty kishin dalë tre persona të cilët ishin vërsulur drejt tij.

“Njëri prej tyre mbante edhe një thikë në dorë, por kam arritur te mbrohem me çantën time”, ka thënë Matoshi, duke sqaruar se grumbullimi i qytetarëve te vendi i ngjarjes dhe ardhja e shpejtë e policisë, kishin ndikuar që këta tre persona, ende të panjohur për policinë, të largohen.

Megjithatë, policia edhe pse ishte venë në ndjekje të këtyre personave, nuk kishte arritur për t’i zënë.

Menjëherë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), duke thënë se e dënon ashpër këtë akt, duke e konsideruar si sulm ndaj fjalës së lirë dhe cenim të drejtpërdrejtë të jetës dhe punës së gazetarëve.

Poashtu, AGPK iu bën thirrje organeve të rendit që ta zbardhin rastin sa më shpejt dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka deklaruar se fillimisht rreth orës 20 e 15, personat e involvuar, kanë pasur një mosmarrëveshje, që ka rezultuar më pas me sulmin.

Borovci ka shtuar se Policia e Kosovës ka filluar me procedurat hetimore, dhe se është në kërkim të të dyshuarve.

Ndërkohë ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), duke e dënuar sulmin fizik që i është bërë publicistit Matoshi. “Një sulm i tillë ndaj një personaliteti të shquar është i papranueshëm dhe cenim i dinjitetit të zotit Matoshi, por edhe cenim ndaj lirisë së shprehjes së gazetarëve”, thuhet ndër të tjera në reagimin e UGK-së.
XS
SM
MD
LG