Ndërlidhjet

Daily Telegraph: Mlladiqi kërcënoi zhdukjen e popullatës


Ratko Mlladiq

Ratko Mlladiq

"Daily Telegraph"


Personi Dejvid Harland, dëshmitari i dytë i prokurorisë në procesin gjyqësor kundër Ratko Mlladiqit, e ka përshkruar ish komandantin serb të Bosnjës si një “njeri të dhunshëm”, i cili duket se “nuk kishte kurrfarë strategjie tjetër, por atë të terrorit të popullatës civile”.

Zoti Harland e kishte parë Mlladiqin, tash 70 vjeçar, tejet luftarak, derisa konflikti vazhdonte, duke bërë kërcënime të tmerrshme për enklavat e mbrojtura nga Kombet e Bashkuara, siç ishte Srebrenica, pasi forcat serbe të Bosnjës, nën komandën e tij, i kishin humbur territoret në pjesët e tjera.

Mlladiqi i ka hedhur poshtë të 11 pikat e aktakuzës për gjenocid, krime të luftës ddhe krime kundër njerëzimit, për dyshime se i ka orkestruar mizoritë serbe gjatë luftës, e që kishte kulmuar me masakrën e vitit 1995, në Srebrenicë, ku ishin vrarë afro 8 mijë burra e djem myslimanë, në mizorinë më të keqe në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.

Dëshmia e zotit Harland është kryesorja për prokurorët, pasi ai e kishte takuar Mlladiqin afërsisht 20 herë dhe shpeshherë kishte marrë shënime si pjesë e detyrës së tij si oficer i Kombeve të Bashkuara.

Ai, po ashtu, ka dëshmuar edhe në proceset e tjera në Hagë, përfshirë edhe atë të mentorit politik të Mlladiqit, Radovan Karaxhiq, dhe ish presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq gjatë procesit në Hagë.

Derisa Tribunali tashmë shpeshherë ka dëshmuar se krime masive ishin bërë gjatë luftës multi-etnike në Bosnjë Hercegovinë, sfidë për prokurorët në rastin e Mlladiqit është që ta ndërlidhin atë me mizoritë.

Zoti Harland, britanik, që tash e udhëheq Fondacionin Zviceran për Paqe, tha se Kombet e Bashkuara i kishin marrë me seriozitet kërcënimet e Mlladiqit.

“Mendoj se pikëpamja jonë për kërcënimet ishte se ai ishte njeri i dhunshëm. Nëse do të paraqitej rasti për t’i kryer këto kërcënime, ai me gjasë do ta bënte këtë. Por, ato realisht nuk ishin deklarata të planeve”, tha Harland.

I akuzuari Mllaldiq i kishte kushtuar kujdes procesit, shpeshherë duke e shikuar një numër të madh të letrave dhe hartave, të shpërndara në tavolinën e tij.

Megjithëqë kishte vuajtur nga tri goditje, shëndeti i tij duket se ishte përmirësuar prej zbulimit të tij pasi për 16 vite ishte fshehur.

Dëshmitari i parë i prokurorisë, myslimani nga Bosnja, Elvedin Pashiq, e përfundoi paraqitjen e tij me kërkesën e përcjellë me lot, për ndihmë në gjetjen e trupit të babait të tij.

Të hënën, ai i tha gjykatës se ishte ndarë nga babai i tij nga focat serbe në vitin 1992, kur ai i kishte 14 vjet, dhe më kurrë nuk e kishte parë. Prokurorët thanë se babai i tij ishte në mesin e afro 150 burrave që ishin masakruar nga serbët në fillim të luftës.

“Më mungon babai im”, tha Pashiq me lot në sy.

Ai kërkoi nga çdokush që ka informacione për vend-ndodhjen e trupit të babait të tij, “që të tregoj për ta gjetur babanë”.

Procesi kundër Ratko Mlladiqit ka filluar në maj dhe mund të zgjasë tri vjet. (f. b.)
XS
SM
MD
LG