Ndërlidhjet

Opozita siriane - e bashkuar apo e ndarë?


Siri...
Siri...
Kreu i koalicionit kryesor opozitar të Sirisë në ekzil u takua me ministrin e jashtëm rus në përpjekje për ta inkurajuar Moskën që të ulë mbështetjen për regjimin e presidentit, Bashar Al Asad.

Shefi i Këshillit Kombëtar të Sirisë, Abdel Baset Sajda, i tha ministrit të jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, gjatë bisedimeve që u mbajtën të mërkurën në Moskë se Siria është në prag të një “revolucioni” dhe se nuk ka shpresë për një tranzicion politik.

Sajda tërhoqi një paralele me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik më 1991 duke thënë se konflikti në Siri nuk është vetëm çështje e “mosmarrëveshjeve ndërmjet opozitës dhe qeverisë”.

Këshilli Kombëtar i Sirisë e ka bazën e tij në Turqi, ndërsa mbështetet publikisht nga shtetet perëndimore dhe arabe, të cilat vazhdojnë të kërkojnë largimin nga pushteti të Asadit.

Në komentet e tij, Lavrov nuk dha ndonjë indikacion se a do të ishte Moska e gatshme për ta mbështetur opozitën. Rusia, deri më tani, ka theksuar se kriza duhet të zgjidhet nga vet sirianët-pa ndonjë ndërhyrje nga jashtë.

Shefi i diplomacisë ruse shfaqi interesimin për të ditur nëse opozita e ndarë do të ishte në gjendje të bashkohet në një lëvizje për të negociuar me qeverinë në përputhje me planin për paqe të emisarit ndërkombëtar, Kofi Anan.

Ne jemi shumë të interesuar në qasjen tuaj rreth situatës në kuadër të lëvizjes opozitare-në marrëdhëniet e Këshillit Kombëtar të Sirisë me grupet e tjera të opozitës dhe, veçanërisht, me opozitën e brendshme, për të kuptuar se cilat janë mundësitë dhe se sa të besueshme janë ato për bashkimin e të gjitha grupeve opozitare mbi një platformë të dialogut me qeverinë, ashtu siç parashihet në planin e Kofi Ananit të aprovuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Lavrov.

Pas takimit në Moskë, një përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Sirisë, Burhan Galiun, tha se Lavrov ka lënë të kuptohet se Rusia nuk është e interesuar në përçarjen e opozitës.

Për vite të tëra, Rusia ka qenë furnizuesi kryesor me armë i regjimit sirian, ndërsa operon me një bazë detare në bregdetin mediteran të Sirisë-baza e vetme ushtarake e Rusisë jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik.

Moska zyrtare, ndërkohë, ka lëshuar në qarkullim tek shtetet anëtare të OKB-së një dokument, me të cilin sugjerohet zgjerimi i mandatit për misionin monitorues të këtij mekanizmi në Siri për tre muaj të tjerë.

Diplomatët thonë se draft-dokumenti në fjalë nuk paraqet ndonjë kërcënim për masat e reja që do të ndërmerreshin eventualisht ndaj Sirisë.

Këshilli i Sigurimit duhet të vendos mbi të ardhmën e misionit para 20 korrikut, kur dhe i skadon mandati 90 ditor.

Ekipi 300 anëtarësh ishte dërguar për në Siri në muajin prill për të monitoruar armë-pushimin e planifikuar ndërmjet palëve, i cili në fakt nuk u zbatua asnjëherë.

Së fundi, monitoruesit u detyruan të ndalin misionin vëzhgues për shkak të nivelit të lartë të pasigurisë që u shfaq në kohën e rritjes së përleshjeve ndërmjet palëve të përfshira në konflikt.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, gjatë luftimeve 16 mujore në Siri janë vrarë diku 17 mijë njerëz, ndërsa mijëra të tjerë thuhet se mbahen të burgosur.(e.p.)
XS
SM
MD
LG