Ndërlidhjet

Maqedoni, mbi 30 % e popullatës jeton në varfëri


Ilustrim
Ilustrim

Çdo i treti qytetar i Maqedonisë, apo 30.4 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës, jeton në varfëri.

Këto të dhëna janë publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikës, që thuajse janë identike me ato të një viti më parë.

Gjysma e të varfërve janë të papunë, kryesisht të rinj deri në moshën 40 vjeçare dhe çifte bashkëshortore me fëmijë.

Sa i përket arsimimit, thuajse 31 për qind e të varfërve janë me arsim universitar, shifër kjo që është vlerësuar si alarmante nga ekspertët e ekonomisë, por jo edhe nga zyrtarët, të cilët, thonë se po bëjnë çmos për zbutjen e situatës.

Nga buxheti i këtij viti për luftimin e varfërisë, janë ndarë 3.3 milionë euro, apo 0.12 për qind nga shuma e përgjithshme e paraparë për shpenzime.

Mendoj se nuk duhet të jemi edhe aq shumë të pakënaqur nga ajo që jemi duke bërë, nëse këtë e krahasojmë me atë që është duke ndodhur në botë”, thotë zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski.

Ekspertët e ekonomisë që ndjekin problematikat e kësaj afere, thonë se qeveria duhet të ndryshojë politikat ekonomiko-sociale, si dhe të zhvillojë një luftë më të vendosur kundër varfërisë.

Izet Zeqiri, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se nëse analizohet në baza etnike, më të varfër në Maqedoni janë pjesëtarët e komunitetit rom në masën e mbi 60 për qind, pastaj vijnë turqit, shqiptarët zënë vendin e tretë me mbi 35 për qind, ndërsa më pak të varfër janë maqedonasit, me vetëm 16.7 për qind.

Këto janë shifra alarmante që tregojnë se në Republikën e Maqedonisë duhen programe apo të krijohen fonde për të varfrit, duke marrë modelet e Evropës Juglindore dhe Qendrore, e pse jo edhe modelin e Bangladeshit, që përballet me një varfëri ekstreme dhe që ka rezultate në luftës kundër varfërisë, duke krijuar edhe bankën për të varfrit”, thotë Zeqiri.

Ai thotë se qeveria përfundimisht duhet të heqë dorë nga investimet joproduktive, siç është rasti me ngritjen e përmendoreve të shumta në projektin monotetnik “Shkupi 2014”, për të cilin janë harxhuar qindra miliona euro.

Sikur këto para të shpenzoheshin për qëllime tjera, përfshi edhe luftën kundër varfërisë, rezultatet do të ishin më të favorshme, thonë ekspertët.

Maqedonia në bazë të politikave zhvillimore të mileniumit të OKB-së, duhet që deri në vitin 2015 të ulë varfërinë deri në 9.4 për qind, ndërsa të dhënat e tanishme prej 30 për qind janë shumë të larta për një shtet evropian”, thotë Zdravko Savevski, profesor universitar, duke e konsideruar të patjetërsueshme ndryshimin e politikës qeveritare në raport me zhvillimet ekonomike dhe sociale në vend.

Ndërkohë, një raport për gjendjen e varfërisë në Maqedoni, një muaj më parë e publikoi edhe Banka Botërore, sipas së cilës, varfëria në Maqedoni vazhdon të thellohet në krahasim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Që situata të ndryshohet, sipas Bankës Botërore, duhet që rritja e ekonomisë vendore të jetë mbi 6 për qind.
XS
SM
MD
LG