Ndërlidhjet

Kuvendi dështon që të marrë vendim për çimento


Mimoza Kusari Lila, foto nga arkivi

Mimoza Kusari Lila, foto nga arkivi

Partitë opozitare në Kosovë paraqitën një varg kritikash në adresë të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, lidhur me vendimin për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35 për qind, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Gjatë seancës të enjtes të Kuvendit të Kosovës, deputetët kërkuan që ministrja të shfuqizojë vendimin apo të japë dorëheqje nga pozita të cilën e mban.

Emin Gërbeshi, nga grupi i deputetëve nënshkrues për të ftuar në interpelancë Ministren Kusari Lila, kërkoi nga kjo e fundit të shfuqizojë vendimin, pasi kjo masë është jashtëligjore dhe ka dëmtuar ekonominë e tregut.

Ai dyshon se ky vendim po shkon në favor të ndërmarrjes “Sharrcem”. Sic thotë ai, kjo kompani ka njerëz të fortë në qeveri.

Vendimi i juaj ka prodhuar pasoja ekonomike, ka ngritur çmimin e çimentos deri në 20 për qind dhe rritja do të vazhdojë deri sa të jetë në fuqi vendimi i juaj. Ka eliminuar konkurrencën e lirë në treg, duke krijuar monopol vetëm për një kompani. Ka rritur koston e ndërtimeve duke krijuar inflacion në sektorin e ndërtimtarisë, ka rrezikuar shumë firma importuese të këtij produkti duke i quar drejtë falimentimit, ka rrezikuar shumë vende punë në sektorin e ndërtimit”, tha Gërbeshi.

Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, edhe një herë ripërsëriti se vendimi është marrë konform ligjeve të zbatuara në vend dhe Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore, CEFTA.

Nuk do të favorizohen importet duke shkelur prodhuesit vendorë tha Kusari Lila, duke shtruar se nga importi i çimentos nga Shqipëria kanë përfituar vetëm distributorët dhe jo konsumatorët.

Ligji për masat mbrojtëse është miratuar nga ky Kuvend vitin e kaluar. Nëse ne tashme kërkojmë që të mos respektohet ky ligj, mesazhi që del nga Kuvendi i Kosovës nuk është i mirë as për prodhuesit vendorë, e as për investitorët e mundshëm në Kosovë. Investimet e paralajmëruara nga vendet mike të Kosovës mund të hamenden nëse ne nuk zbatojmë ligjet tona që rregullojnë fushën e tregtisë dhe industrisë”, u shpreh Kusari Lila.

Adem Grabovci, shef i grupit të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se pas situatës së krijuar kjo parti vlerëson se duhet të gjendet një zgjidhje për të gjitha palët.

Qeveria dhe ministrja Kusari duhet të jenë të kujdesshme për vendimet e marra, të cilat vendime duhet të jenë të balancuara në mes interesit publik dhe marrëveshjeve të nënshkruara ndërkombëtare”, tha Grabovci.

Ndërkaq, deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konsiderojnë se vendosja e tarifës prej 35 për qind tregon më së miri lidhjen e ngushtë mes zyrtarëve të qeverisë dhe përfaqësues të ndërmarrjes “Sharrcem”.

Sipas tyre, ministrja këto masa i ka vendosë nën presion të kësaj ndërmarrjeje.

Vjollca Krasniqi, deputete nga kjo parti tha se ky vendim ka krijuar monopol në treg.

“Dihet mirë se çfarë ndodh kur dikujt shteti i krijon monopol. Keni marrë vendim në mënyrë arbitrare, pa u konsultuar as më palët e interesit. Po përkrahet një biznes i cili kontrabandon mall”, theksoi Krasniqi.

Alma Lama, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se më këtë vendim është dëmtuar shteti shqiptar, pasi sasia më e madhe e çimentos në tregun kosovar ka ardhur nga Shqipëria.

Çuditem nga një vullnet i madh i shpërfaqur këtyre ditëve, për të acaruar raportet me shtetin shqiptar. Ky vullnet mban vulën e ministres se Tregtisë dhe Industrisë, e cila në mënyrë të vazhdueshme mesi pret t’i përgjigjet me masa agresive, që i quan reciproke ccdo problemi që lidhet më masat doganore. Mirëpo, ajo nuk është e vetme, është e qartë se për këtë aksion antik - Shqipëri ka mbështetjen e pa rezervë të shefit të saj që udhëheq qeverinë”, theksoi Lama.

Ndërsa në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi, tha se vendimi është i paarsyeshëm në aspektin ekonomik, profesional dhe shtetëror.

Kjo masë, sipas saj, është vendosur për përfitime e interesa të caktuara dhe jo për të mbrojtur prodhuesit vendorë .

Prandaj, Kadaj - Bujupui kërkoi shfuqizimin e vendimit apo dorëheqjen e ministres Kusari Lila

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se janë dy alternativa: e para të shfuqizohet vendimi nga ministrja dhe të ofrohet dorëheqja e ministres menjëherë. Dhe alternativa e dytë, të shfuqizohet vendimi nga kryeministri dhe të shkarkohet ministrja menjëherë”, tha Kadaj- Bujupi.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila më 11 qershor të këtij viti ka vendosur masa të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35 për qind.

Ndryshe, ndërmarrja “Sharrcem” është prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i çimentos në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG