Ndërlidhjet

logo-print

Guardian: Srebrenica – heshtja për fajin e Britanisë duhet të përfundojë


Srebrenicë

Srebrenicë

"Guardian"

Para 17 vitesh, më 13 korrik 1995, në ish Jugosllavinë filloi ajo që ish sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, e ka quajtur krimi i luftës më i keq në Evropë, prej vitit 1945, vrasja nga forcat serbe të afro 8 mijë burrave e djemve myslimanë të paarmatosur në Srebrencië.

Krimi i vetëm i viktimave ishte se ata ishin myslimanë.

“Duke synuar eliminimin e një pjese të myslimanëve të Bosnjës, forcat serbe të Bosnjës kryen gjenocid”, tha Theodor Meron, gjyqtar kryesues i dhomës së apelit në Tribunalin penal ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, dhe shtoi se “ata i zhveshën të gjithë të burgosurit myslimanë, ushtarakë dhe civilë, të vjetër dhe të rinjë, nga gjërat personale dhe identifikimet dhe qëllimshëm dhe në mënyrë metodike i vranë ata vetëm në bazë të identitetit të tyre”.

Lufta në ish Jugosllavi ka çuar në vrasjen e afro 100 mijë njerëzve dhe zhvendosjen e më se 2 milionëve, pjesa më e madhe myslimanë.

Derisa përgjegjësia primare për masakrën bie në ata që e kryen atë, përgjegjësia sekondare bie në ata që kanë mundur ta parandalojnë, por dështuan ta bëjnë këtë.

Në vitin 1992, Kombet e Bashkuara e kishin imponuar embargon e armatimit, që i ndali myslimanët e Bosnjës që ta ushtrojnë të drejtën e patjetërsueshme për vetëmbrojtje kundër serbëve, që e trashëguan ushtrinë e ish Jugosllavisë, e katërta më e forta në Evropë.

Robert Hanter, ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO, prej vitit 1993 e deri më 1998, beson se Britania ishte vendi më përgjegjës për parandalimin e intervenimit nga OKB-ja apo NATO-ja, për t’i shpëtuar boshnjakët.

“Britania bartë barrë të madhe të përgjegjësisë për atë që ka ndodhur në Srebrencië”, pat thënë Hanter, duke vazhduar se përgjegjësia për “dështimin e NATO-s që të veproj ushtarakisht bie në Londër”.

Kur, pas Srebrenicës, NATO-ja përfundimisht ishte autorizuar të ndërmarrë sulme ajrore, lufta kishte përfunduar brenda 20 ditësh.

Populli britanik tregoi më tepër humanitet se sa sunduesit e vet. Në prill të vitit 1993, më se 2 prej 3 të anketuarve nga kompania Mori, e mbështetën vendosjen e trupave britanike, ndërsa në shkurt të vitit 1994, më tepër se gjysma dëshironte sulme ajrore kundër serbëve të Bosnjës.

Por sekretari i shtetit, Dagllas Hërd, e mbrojti embargon e armatimit, pasi tërheqja e embargos do të krijonte “nivel të fushave të vrasjes”, koment ky që është nxjerrë nga përgjigjja thumbuese e pensionistes Margaret Theçër, se atje aktualisht ekzistonte “fushë e vrasjes, të cilën kam menduar ne kurrë nuk do ta shohim prapë në Evropë, dhe është në sferën evropiane të interesit dhe duhet të jetë në sferën e evropiane të ndërgjegjjes”.

Rrjedhimisht, kufijtë britanikë ishin mbyllur për refugjatët, pasi interesat e tyre, siç kishte argumentuar Dagllas Hërd, “do të bëjnë presion në grupet ndërluftuese për trajtim për paqe”, pra implikimet do të ishin se problemi i refugjatëve do t’i detyronte boshnjakët, viktimat, që të dorëzoheshin.

Është koha, pa dyshim, për ta përfunduar këtë heshtje xhentile, që deri tash ishte pjesë e udhëheqjes së zotit Hërd të punëve të jashtme të vendit gjatë konfliktit.

Masakra e Srebrenicës ofron paralajmërim të tmerrshëm të rreziqeve të politikës së jashtme “realiste”, e cila i injoron vlerat fundamentale që demokracitë liberale i mbajnë së bashku.

Në mars të vitit 1999 qeveria e Toni Blerit ndërmori një qëndrim krejtësisht tjetër të çështjeve të Ballkanit, duke i bërë presion NATO-s që të dërgoj trupa në Kosovë, për ta kundërshtuar kërcënimin kundër shqiptarëve myslimanë. Kjo çoi në mënyrë rapide te rënia e Sllobodan Millosheviqit, i denoncuar për tërheqjen e ventit të tij në luftën, të cilën ai nuk mund ta fitonte.

Në prill të vitit 1999, zoti Bler e mbrojti politikën e jashtme të tij gjatë një fjalimi të rëndësishëm në Çikago.

“Ne duhet të hyjmë në mileniumin e ri ku diktatorët e dinë se nuk mund të largohen me pastrim etnik ose represion ndaj popullit të vet pa ndëshkim”, tha Bler.

Më tutje, ai tha se në Kosovë, Britania po “luftonte, jo për territor, por për vlera” dhe shtoi se “parimi i mosndërhyrjes duhet të kualifikohet në respekt të rëndësishëm,”.

Më tutje ai theksoi se “doktrina e re e komunitetit ndërkombëtar” për tu dhënë “njohje të qartë se sot më tepër se kurrë më parë, ne jemi reciprokisht të varur”.

Rrjedhimisht, ne kemi të drejtë, nëse jo detyrë, të intervenojmë për parandalimin e gjenocidit, për tu marrë me “rrjedhën masive të refugjatëve”, që shndërrohet në “kërcënime për paqen ndërkombëtare dhe sigurinë”, dhe për t’i luftuar shtetet e papërgjegjshme.

Këto ide tash janë mishëruar në nismën e OKB-së në vitin 2005, Përgjegjësia për të Mbrojtur, në bazë të parimit se sovraniteti nuk është e drejtë por përgjegjësi. Ky është parimi që Dejvid Kameruni dhe Uilliem Hejgu e përvetësuan në Libi dhe po synojnë ta përvetësojnë në Siri.

Në vitin 2004, presidenti serb, Boris Tadiq, kërkoi falje për krimet në Bosnjë Hercegovinë, që janë kryer në emër të Serbisë; në mars të vitit 2010, parlamenti serb e publikoi deklaratën, e cila “e dënon fuqishëm krimin e kryer në korrik të vitit 1995 kundër popullatës boshnjake në Srebrenicë”.

Kofi Anani, po ashtu, ka kërkuar falje për politikën “e ekuivalencës amorale” të politikës së Kombeve të Bashkuara.

Por, nuk ka pasur kërkim të faljes nga Dagllas Hërd, megjithëqë politika britanike në Bosnjë e implikoi Britaninë në mizorinë më të keqe, që Evropa e ka parë prej Hollokaustit. (f. b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG