Ndërlidhjet

Rusi: Disa OJQ të regjistrohen si “agjentë të jashtëm”


Rusi...
Rusi...

Dhoma e ulët e Parlamentit të Rusisë, i ka miratuar të premten dy legjislacione kundërthënëse: me njërin imponohen rregulla të reja të ashpra ndaj organizatave joqeveritare, që marrin financime nga jashtë, ndërsa me legjislacionin e dytë shpifja cilësohet si vepër penale.

Të dy masat duhet të miratohen edhe nga Dhoma e Lartë e Parlamentit dhe duhet të nënshkruhen nga presidenti Vlladimir Putin.

Duma Shtetërore Ruse në mënyrë bindëse e miratoi legjislacionin për organizatat joqeveritare që financohen nga jashtë. Vetëm tre deputetë votuan kundër, një abstenoi, ndërsa 374 votuan në favor të legjislacionit.

Me këtë legjislacion, me të cilin imponohen rregulla tejet të ashpra ndaj OJQ-ve, që marrin fonde të jashtme, kërkohet që organizatat joqeveritare të regjistrohen si “agjentë të jashtëm”.

Shkelja e këtij ligji do të ndëshkohet me konfiskimin e fondeve ose me burgosje potenciale.

Poashtu, OJQ-të, që janë në shënjestër të këtij ligji, duhet të plotësojnë raporte tremujore financiare dhe do të jenë subjekt i kontrolleve të rregullta dhe të paparalajmëruara.

Deputeti nga partia udhëheqëse në qeveri, Rusia e Bashkuar, Andrej Vorobjov, e ka mbrojtur këtë legjislacion, duke thënë se shumë OJQ janë përjashtuar nga ky dokument.

Organizatat joqeveritare që janë të involvuara në mbrojtjen e fëmijëve, në bamirësi, në mbrojtjen e florës dhe faunës, dhe organizatat religjioze, janë përjashtuar nga lista e OJQ-ve, nga të cilat kërkohet që të regjistrohen si agjentë të jashtëm”, thotë deputeti Vorobjov.

Në këtë kuadër, Ilija Ponomarjov, nga grupi Vetëm Rusia, thotë se përjashtimet tregojnë qartas se cilat organizata Kremlini i konsideron të paprekshme.

Ne posa e diskutuam legjislacionin për OJQ-të. Autorët bile ia dolën ta nxjerrin një përjashtim, duke thënë se tri tipe të organizatave do të përjashtohen nga përfshirja e këtij ligji, e ato janë të formuara nga kishat, shteti, dhe nga bizneset. Në këtë mënyrë ne qartas e përcaktuam se cilat OJQ ne i konsiderojmë se janë të paprekshme dhe imune ndaj çfarëdo ndjekjeje penale”, tha Ponomarjov.

Vëzhguesit kanë thënë se shprehja “agjent i jashtëm” është sinonim për spiunim për shumë vetë në Rusi dhe në shtetet e tjera.

Kritikët e kanë dënuar këtë masë si pjesë e goditjes ndaj lirive civile, që ka ndodhur gjatë kthimit të Vlladimir Putinit në mandatin e tretë presidencial në muajin maj.

Legjislacioni është dënuar si i paarsyeshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ligji tjetër, ai për shpifje, parasheh dënime deri në 150 mijë dollarë për keqinformim, që shpërndahet me qëllim për ta dëmtuar reputacionin.

Kjo nga vëzhguesit është parë si përpjekje e autoriteteve për t’i heshtur kritikët.

Zyrtarët në Rusi shpeshherë janë akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim të autoritetit. (f. b.)
XS
SM
MD
LG