Ndërlidhjet

Ekspertët shprehin dyshime në mbarëvajtjen e procesit "Monster"


Shkup

Shkup


Hetimet rreth aksionit "Monstër", për vrasjen e pesë maqedonasve në liqenin e Hekuranës në fshatin Smillkovë të Shkupit, tashmë dy muaj nuk kanë zbardhur ende fakte për lidhshmërinë e drejtpërdrejtë të të akuzuarve,

Kështu thekson avokati mbrojtës Naser Raufi, duke shtuar se në mungesë të provave për veprën terrorizëm për të cilën ngarkohen të akuzuarit, gjyqi më 29 qershor të këtij viti ka marrë vendim për shtyrjen e paraburgimit edhe për 30 ditë, për Agim Ismailoviçin, Fejzi Aziri dhe Rami Sejdiu, të cilët ndodhen në paraburgim në burgun e Manastirit, gjersa të akuzuarit për të njëjtën vepër, Afrim Ismailovic dhe Halil Demiri gjenden në arrati.

Ndërkaq, gjykata e Shkupit ka shqiptuar dënim me tre vjet burg për Rrahman Asanin dhe Nazif Mehmetin, ndërkohë që gjashtë vjet burg i janë shqiptuar Ibrahim Sejdinit, për posedim të paligjshëm të armëve.

Avokati mbrojtës Naser Raufi thotë se në mungesë të dëshmive, gjykata vazhdon paraburgimin, ngase sicc ka theksuar, këta persona nuk i lidh asgjë me të akuzuarit për terrorizëm.

Akoma nuk është e qartë dinamika me të cilën do të ftohemi mbrojtësit dhe prokurorët për dëshmitë eventuale. Por, më duhet të theksoj se të akuzuarit nuk kanë kurrfarë lidhje me veprën terrorizëm, me të cilën akuzohen 6 personat, katër të arrestuar dhe dy në arrati. Ata dënohen me procedurë të rregullt dhe jo me atë të krimit të organizua. E vetmja gjë që i lidh me rastin këta persona është se u arrestuan në po të njëjtën ditë, dhe nuk kanë lidhje me krimin. Ndërkohë, për krimin për të cilin u zhvillua operacioni Monstër, akoma nuk është prezantuar asnjë dëshmi”, është shprehur avokati mbrojtës Naser Raufi.

Ndërkohë, stërzgjatja e mbledhjes së provave ka nxitur reagimin e partive politike shqiptare në opozitë, të cilët kanë akuzuar ministren e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, e cila, sicc kanë theksuar, ka dështuar në hetimet e këtij rasti, duke mbajtur në burg njerëz të pafajshëm.

Partitë shqiptare gjithashtu kanë drejtuar akuza drejt numrit një të dikasterit të policisë, Gordana Jankullovska dhe prokurorit publik Lupço Shrvgovski, ngase ende pa filluar procesi gjyqësor, të akuzuarit përmes deklarimeve publike i kanë shpallur si autorë të vrasjes.

Gjersa ekspertët juridikë vlerësojnë se pas gjithë këtyre prejudikimeve të pushtetarëve, është shumë vështirë që rasti “Monstër” të marrë një epilog real dhe objektiv.

"Në aspektin formal juridik, kërkesa e organeve të hetuesisë për shtimin e aftit të paraburgimit edhe për 30 ditë të tjera është në përputhje me ligjin, që parasheh se paraburgimi mund të zgjatë 180 por në aspektin faktik kjo tregon se organet kompetente prokuroria dhe gjykata ende nuk i kanë të gjitha argumentet bindëse se procesi që tanimë zhvillohet ndaj të pandehurve disponon me dëshmi bindëse. Kjo dhe i hap rrugë dyshimit në opinion se i gjithë operacioni për të gjetur fajtorët e vrasjes së pesëfishtë është një operacion i montuar sesa vrasësit e vërtetë të nxirren para drejtësisë”, shprehet Mersim Maksuti, ekspert juridik.

Gjersa Jove Kekenovski, ligjërues në fakultetin juridik në Shkup thotë se në Maqedoni mund të numërohen rastet në gishtat e njërës dorë kur bëhet fjalë për përgjegjësinë e politikëbërësve, gjegjësisht udhëheqësve shtetërorë.

Ne nuk mund të lavdërohemi se jemi shoqëri e përgjegjshme, me vet faktin se kemi shumë pak raste kur pas ndonjë dështimi, drejtuesit janë tërhequr nga pozitat e tyre”, thekson Jove Kekenovski, ekspert juridik.

Ndërkohë, faktori ndërkombëtar dhe përfaqësuesit diplomatikë në vazhdimësi kanë kërkuar që procesi gjyqësorë sa i përket rastit të Smillkocit të jetë transparent dhe njëkohësisht i bazuar në dëshmi dhe fakte.
XS
SM
MD
LG