Ndërlidhjet

Kosovë: Dokufest gjallëron Prizrenin


DokuFest, 2012
DokuFest, 2012
Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtë Dokufest, edicioni i 11 i të cilit ka nisur në Prizren 9 ditë më parë, po e ruan traditën e organizimit, ndërkohë që gjithnjë e më shumë po bëhet më tërheqës, qoftë për pjesëmarrësit në festival, qoftë për vizitorët, vlerësojnë organizatorët e këtij festivali.

Sipas tyre, kështu ngjau edhe sivjet.

Gjatë 9 ditëve mijëra dashamirë të filmit dhe vizitorë, kanë përcjellë filmat që u shfaqën në festival si dhe e kanë mbushur qytetin e Prizrenit, duke e shndërruar secilën ditë në festë të filmit dhe aktiviteteve kulturore dhe artistike.

Veton Nurkollari, drejtor artistik i Dokufest-it thotë se ky festival i solli Prizrenit 9 ditë të veçanta.

Dokufesti edhe një herë solli një program, kualitativ. Solli një numër të konsiderueshëm të regjisorëve, producentëve, aktorëve, njerëz të filmit, njerëz të artit dhe kulturës në Prizren dhe mundësoi që të krijohet përsëri një atmosferë e hatashme në qytet dhe për rreth qytetit. Ne kemi pasur 171 filma, gjithsej, qofshin ata në 6 programet garuese, qofshin në programet jashtë konkurrencës apo jo garuese. Ishin ose ende janë rreth 300 mysafir ndërkombëtar, të rajonit dhe të Kosovës. Poashtu ishte një numër i madh i vizitorëve që erdhën enkas për festival ose për aktivitetet që e përcollën festivalin”, thotë Nurkollari.

Nurkollari ka shtuar se Dokufesti tashmë ka hyrë në mesin e 25 festivaleve më të mira të botës për filmin dokumentar dhe të shkurtë, ndërkaq që në edicionin e sivjetmë, sipas tij, janë shfaqur filmat fitues të festivaleve më të rëndësishëm në botë, të zhanrit përkatës.
Nita Deda, zëdhënëse e festivalit Dokufest thotë se filmat janë shfaqur në 7 kinema, prej të cilave 3 të mbyllura dhe 4 nën qiellin e hapur.

Përveç shfaqjes së filmave, sipas saj, aktivitet përcjellëse e kanë bërë këtë festival edhe më tërheqës për artistët dhe vizitorët.

Ekspozita “Dokufoto”, është hapur 2 ditë para fillimit të festivalit dhe do të jetë e hapur deri më 20 korrik. Janë organizuar 6 punëtori, të cilat janë mbajtur gjatë ditëve sa zgjatë festivali, në mesin e të cilave edhe “Kinokabareti” dhe “Ticiano projekt”.

Gjatë festivalit, çdo ditë janë organizuar panele dhe debate, ndërkohe që gjatë orëve të mbrëmjes janë organizuar koncerte me këngëtarë dhe grupe të ndryshme nga Kosova dhe rajoni.

Deda thotë se ajo që vazhdon ta karakterizojë Dokufestin është edhe kampi që organizohet për të rinjtë që vijnë për ta përcjellur festivalin. Ky kamp është ngritur në të ashtuquajturën Fusha e Marashit, buzë lumit Lumbardh.

Kampin ka gjashtë vite që e kemi hapur, për shkak se ka shumë të rinj që vijnë prej Evropës dhe prej qyteteve tjera të Kosovës. Kemi dashur që t’ua ofrojmë një hapësirë të këndshme buzë lumit dhe shumë afër qytetit, që të vijnë dhe të rrinë gjatë festivalit. Për shkak se ne kemi vrull të madh të mysafirëve këto ditë, qytetarët i hapin edhe shtëpitë e tyre për t’i pritur mysafirët e festivalit dhe pothuajse të gjitha bujtinat dhe hotelet janë të zëna në Prizren. Në fakt, edhe qytetarët e Prizrenit tash po identifikohen me festivalin, Dokufestin”, thekson Deda.

Në kamp, të rinjtë kishin organizuar jetën. Gjumin e bënin në tenda, ndërkohë që gjatë ditës freskoheshin në lum pranë të cilit ishte ngritur kampi, si dhe merreshin me aktivitete të të rinjve. Hana Klosi, nga Tirana, tha se në këtë kamp ishte për të dytën herë.

Unë këtu kam gjetur një atmosferë shumë të bukur. Gëzohem shumë kur mendoj se do të shkoj në Dokufest, kur ofrohet. Nuk jam zhgënjyer as këtë vit. Më ka pëlqyer në të dy vitet. Këtu është shumë mirë nëse do të çlodhesh, sepse e ke lumin për tu freskuar", thotë ajo.

Në mesin e të rinjve ishte edhe Kristof Shulce nga Gjermania. Ai tha se i pëlqente Dokufesti, por veçanërisht qytetarët e Prizrenit, që sipas tij ishin mjaft mikëpritës.

Kam ardhur këtu se pse kanë ardhur edhe miqtë e mi. Më kishin thënë se këtu bëhet një festival , por nuk kisha informacione të shumta. Tash që jam këtu, unë shoh mjaft pozitivizëm dhe më pëlqen gjithçka. Më pëlqen Prizreni. Është një vend që ia vlen të jetohet këtu”, tha Shulce.

Johan Rugji, nga Tirana, tha se në kampin e Dokufestit ishte për herë të parë.

Sivjet unë gjeta atë Prizrenin që doja vërtet të gjeja, atë arkitekturën e bukur dhe çlodhëse të Prizrenit, si dhe natyrën shumë të pastër dhe të qetë të njerëzve. Meqë ne kemi ardhur në grup, përveç shokëve të mi, kam gjetur dhe shokë të ri, që shpresoj t’i shoh prap vitin tjetër dhe të jetë kjo një arsye për tu ri-takuar këtu në Prizren”.

Besim Llafetahu, qytetar i Prizrenit është njëri prej atyre që përcjellin filmat e festivalit Dokufest. Derisa po ndiqte njërin prej filmave në kinemanë mbi lumin Lumbardh, ai tha:

Dokufesti për Prizrenin sjell gjallëri, diçka ndryshe, një freski për Kosovën dhe jo vetëm për Prizrenin. Krejt Kosova tash është këtu. Posaçërisht në dy apo tre vitet e fundit edhe më shumë është popullarizuar”.

Ndër ata që vizitonin Prizrenin ishin edhe bashkëshortët Kuqi, nga prizreni, por që jetojnë në Prishtinë. Sedat kuqi thotë.

Këto dhjetë ditë kam ardhur për shkak të Dokufestit. Natyrisht që Dokufesti, pikë së pari, Prizrenit i sjellë shumë njerëz, një ambient dhe një atmosferë krejtësisht tjetër, një përjetim të veçantë kulturor”.

Ndërkaq, Merita Kuqi, thotë Dokufesti ia shton gjallërinë qytetit të Prizrenit..

Krejt atmosfera dhe krejt qyteti... është një ngritje kulturore e krejt popullatës, sepse përveç të rinjve, këtu shihni edhe mosha më të vjetra, të cilët mezi kanë pritur diçka të tillë në Prizren, të ngjallet, sepse, përndryshe, Prizreni është qytet historik”.

Ndryshe, edicioni i sivjetmë i festivalit Dokufest, ka nisur me 7 dhe përfundon ditën e diel, më 15 korrik.
XS
SM
MD
LG