Ndërlidhjet

Investimet dhe toleranca ndëretnike


Ilustrim
Ilustrim

Ekonomia është një ndër sektorët kryesorë që mund të ndikojë në ngritjen e tolerancës ndëretnike.

Kështu thonë përfaqësues të biznesit, sipas të cilëve investimet e përbashkëta dhe punësimi i popullatës shumicë dhe komuniteteve pakicë, janë masa stimuluese për ngritjen e tolerancës ndëretnike.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, konsideron se ngritja e zhvillimit ekonomik në gjithë Kosovën, do t’i zbuste edhe mospajtimet eventuale politike në mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë.

Ekonomia dhe interesi biznesor i ulë interesat nacionaliste dhe kjo e bën që të rritet komunikimi në mes komuniteteve të ndryshme, kjo e bënë që mos të mendohet për të kaluarën por për të ardhmen, për përfitimet dhe zhvillimet e veta. Në Kosovë kjo po ndodh, por jo në mënyrën formale, por në baza informate, në pjesën veriore të Kosovës”, thekson Shahini.

Një aktivitet të tillë muajin e kaluar e ka marrë Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë Shahini.

Kjo aleancë për të parën herë ka organizuar Bursën e Punësimit edhe në komunën e Graçanicës, zonë kjo e banuar më shumicë serbe.

Kurse ne si Aleancë e Biznesit kemi pasur aktivitetet me disa qendra ndëretnike, ta marrim shembull në Graçanicë, sivjet për herë të parë kemi mbajtur ‘Bursën e Punësimit’, por njëkohësisht edhe aktivitete të tjera më minoritete të tjera siç janë boshnjakë dhe turk”, shprehet Shahini.

Edhe zyrtarë të Kuvendit Komunal në Graçanicë, konsiderojnë se investimet nga ana e Qeverisë së Kosovës, sidomos ato kapitale nëpër zonat e banuara me shumicë serbe, do të mund të ndikonin pozitivisht në integrimin serbëve nëpër komunat ku jetojnë.

Nebojsha Periq, këshilltar në komunën e Graçanicës, thotë se vetëm në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës do të dërgonte mesazhe të drejtpërdrejta se kujdeset për komunitetet jo shumicë.

Të gjitha investimet në fushën e infrastrukturës të cilat po ndodhin në komunën e Graçanicës financohen vetëm nga buxheti vetanak i komunës apo prej fondeve të cilat u destinohen të gjitha komunave, pavarësisht nëse flasim për fondet e qeverisë apo ato të bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Periq, për të shtuar tash për tash nuk ka investime në fushën e ekonomisë apo zhvillimit ekonomik nga ana e qeverisë.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverise theksojnë se edhe komunat e banuara më popullatë jo shqiptare, kanë strukturë të njëjtë të buxhetit më gjitha komunat tjera në Kosovë, ku për vecc ndarjes së buxhetit përfshihen edhe investimet kapitale.

Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave, megjithatë thekson se përveç ndarjes se rregullt të buxhetit në vitin 2010 - 2011, ekzekutivi ka ndarë 8 milionë euro për investime kapitale.

Gjithsesi zhvillimi ekonomik dhe investimet në ekonomi, jemi të bindur se mund të ndikojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të tolerancës ndëretnike dhe në krijimin e marrëdhënieve më të mira dhe ën përshpejtimin e integrimit të komunitetit serb në shoqërinë e Kosovës”, thekson Ibra.
XS
SM
MD
LG