Ndërlidhjet

Times: Shpërthim i së kaluarës derisa Rusia i kritikon SHBA-të


"Times"

Kremlini i ka sulmuar ashpër Shtetet e Bashkuara, derisa Parlamenti rus ka votuar për ligje represive, që kanë tërhequr krahasime me diktatorin sovjetik, Jozef Stalin.

Ministria e jashtme ruse i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “përpjekje absolutisht jopërkatëse për ndërhyrje të thellë” pasi Uashingtoni e ka kritikuar legjislacionin rus, me të cilin synohet ndalja e punës së shoqërisë civile dhe Internetit.

Duma Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, ka votuar për t’i detyruar organizatat joqeveritare, të angazhuara në aktivitet politik, për ta shpallur vetveten “agjentë të jashtëm” në faqet e tyre në Internet dhe në publikimet e tyre, nëse ato marrin fonde nga jashtë.

Kjo termoinologji është një jehonë ogurzezë e epokës sovjetike.

Thorbjorn Jagland, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, që është një trupë demokratike për të drejtat e njeriut, anëtar i së cilës është Rusia, tha se legjislacioni është përkujtim i terrorit të viteve të 30-ta.

“Disa nga ata të ekzekutuar gjatë periudhës së Stalinit ishin quajtur agjentë të jashtëm”, i tha ai agjencisë ruse Ria Novosti.

Duma, po ashtu, ka votuar që shpifjen ta shndërroj në shkelje penale, që dënohet deri në 100 mijë funta. Kjo paraqet anulim të vendimit të para gjashtë muajve për dekriminalizimin e shpifjes, që ishte ndërmarrë nga Dmitri Medvedev, president deri në muajin maj.

Presidenti Putin, ish agjent i KGB-së, ka lëvizur me të shpejtë prej muajit maj, për ta heshtur kritikën ndaj tij, pas protestave publike të paprecedente kundër tij. Pjesa më e madhe e opozitës ishte organizuar në Internet nëpërmjet rrjeteve shoqërore Facebook dhe Twitter.

Kritikët e këtij legjislacioni argumentojnë se definimi i aktivitetit politik është i paqartë dhe mund ta përfshijë pothuajse secilën Organizatë Joqeveritare.

Ilija Ponomarjov, nga partia opozitare Vetëm Rusia dhe mbështetës aktiv i protestave të rrugës, vlerësoi se legjislacioni paraqet “një hap prapa kah degradimi i shoqërisë civile dhe synon grindjen e shtetasve kundër njëri-tjetrit, dhe po ashtu, ka për qëllim përçarjen në shoqëri”.

Sergei Mitrokhin, lider i partisë liberale Jabloko, tha se legjislacioni “ka për qëllim jo vetëm për t’i zvogëluar aktivitetet e OJQ-ve, por për t’i poshtëruar njerëzit që punojnë në këto organizata”.

Juri Sinelsçikov, deputet komunist dhe ish prokuror, tha se ligji “do të shfrytëzohet për t’i ndjekur njerëzit që nuk janë të kënaqur me qeverinë”.

Pavel Çikov, shef i Asociacionit të avokatëve për të drejta të njeriut Agora, tha se ligji për shpifje ka për qëllim heshtjen e kritikëve, siç është aktivisti anti-korrupsion, Aleksej Navalni, i cili Rusinë e Bashkuar e ka quajtur “parti të mashtruesve dhe hajnave”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG