Ndërlidhjet

Londër - Gjithçka gati për Lojërat Olimpike


Londër...
Londër...


Mijëra atletë dhe zyrtarë të sportit kanë nisur të arrijnë në Londër për Lojërat Olimpike 2012, të cilat pritet të fillojnë më 27 korrik.

Zyrtarët e sigurisë në Aeroportin Heathrow thanë se presin që gjatë së hënës të arrijë pjesa dërrmuese e 236.955 pasagjerëve-diku 45 mijë më shumë se sa që arrijnë zakonisht në këtë periudhë.

Afro 16 mijë atletë dhe zyrtarë nga 200 shtete pritet të zbarkojnë në Londër gjatë ditëve të ardhshme për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, të cilat zgjasin deri më 12 gusht.

Tom Uillis, menaxher për operime në Aeroportin Heathrow, tha se një staf shtesë dhe vullnetarë të shumtë, që flasin 20 gjuhë të ndryshme, janë angazhuar për ta trajtuar fluksin e madh të njerëzve.

Ne i kemi mijëra vullnetarë nga komuniteti lokal, të cilët i kemi rekrutuar dhe trajnuar enkas për t’i mirëpritur mysafirët në emër të Londrës. Andaj, ajo që mund të pres një atlet kur zbret nga aeroplani është një vullnetar i pauniformuar, i cili me një buzëqeshje i drejtohet ‘Mirë se vini në Londër dhe uroj që të keni fat në Lojëra”, u shpreh ai.

Anëtarë të ekipeve amerikane të lundrimit ishin në mesin e atletëve të parë që arritën në Heathrow.

Nga Londra, ata do të vazhdojnë rrugën e tyre për në qytetin Weymouth, ku do të mbahen ngjarjet në fushën e lundrimit.

Anëtari i ekipit të lundrimit të Shteteve të Bashkuara, Stiv Brenën, tha se së bashku me anëtarët e ekipit të tij është mirëpritur ngrohtë:

Ka qenë shkëlqyeshëm; shihet se Londra është e gatshme dhe Weymouth është një qytet i mrekullueshëm nikoqir. Jemi shumë të ngazëllyer që jemi në Weymouth, kemi kaluar shumë kohë atje dhe do të jetë fantastike. Ne jemi të gatshëm”, theksoi ai.

Nisja e mbërritjeve të atletëve në Londër ndodhë në kohën kur zyrtarët britanikë po përpiqen t’i ulin shqetësimet mbi mungesën e sigurisë adekuate gjatë Lojërave Olimpike.

Shqetësimet ishin rritur pasi kompania private e sigurisë G4S, e cila është angazhuar me një kontrate prej 440 milion dollarëshe, njoftoi se nuk ka pjesëtarë të mjaftueshëm për ta mbajtur nën kontroll sigurinë gjatë lojërave.

Për këtë arsye, qeveria britanike u detyrua të ofrojë 3 mijë e 500 trupa shtesë për ta mbuluar këtë mungesë.

Duke folur para gazetarëve, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Xhak Rozhe, tha se angazhimi i trupave shtesë “na jep qetësi sa i takon sigurisë”.

Rozhe gjithashtu shfaqi “shqetësimin e madh” për rrëmbimin e presidentit të Komitetit Kombëtar Olimpik të Libisë.

Rrëmbimi i Nabil Al Alamit erdhi vetëm disa ditë pas udhëtimit të planifikuar të pesë atletëve libianë për në Londër.(e.p.)
XS
SM
MD
LG