Ndërlidhjet

Sergei Lavrov: Perëndimi po na shantazhon

  • RFE /RL

Sergei Lavrov

Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i ka akuzuar shtetet perëndimore se po përpiqen që ta “shantazhojnë” Rusinë për të siguruar një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, e cila do ta kërcënonte me sanksione Sirinë.

Duke folur para takimit me të dërguarin ndërkombëtar Kofi Anan, Lavrov iu tha gazetarëve në Moskë se shtetet perëndimore kanë kërcënuar se nuk do ta vazhdojnë misionin 300 anëtarësh të OKB-së në Siri, po që se Rusia nuk pajtohet me sanksionet:

Për keqardhjen tonë të madhe, ne po shohim elemente shantazhi. Neve na është thënë: nëse nuk pajtoheni me kalimin (rezolutës së KS-së të OKB-së për sanksione ndaj Sirisë) nën kartën 7 të Kartës së OKB-së, atëherë duhet të refuzojmë zgjerimin e mandatin të misionit vëzhgues. Ne e konsiderojmë këtë si një qasje shumë kundërproduktive dhe të rrezikshme, meqë është e papranueshme që të përdoren vëzhguesit për të bërë pazar”, tha Lavrov.

Ai tha se është “joreale” për Perëndimin që të presë se Rusia do t’i kërkojë aleatit të kamotshëm, presidentit sirian Bashar al-Asad, që të japë dorëheqje.

Misioni aktual i vëzhguesve të OKB-së skadon më 20 korrik. Por, vëzhguesit tashmë janë tërhequr nga disa pjesë të vendit për shkak të luftimeve.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se Siria tani gjendet në një gjendje të luftës civile dhe se të gjitha palët duhet të respektojnë ligjin humanitar ndërkombëtar ose do të rrezikojnë ndjekjen për krime lufte.

Klasifikimi i luftimeve në Siri si “konflikt i armatosur jo ndërkombëtar” nga ana e Kryqit të Kuq, e sjell në fuqi Konventen e Gjenevës, e cila definon se si duhet të mbrohen civilët gjatë një konflikti.

Zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Aleksis Hib tha se “ligji ndërkombëtar tani aplikohet” në rastet kur në Siri shkelen të drejtat e njeriut- që nënkupton se autorët mund të akuzohen për krime lufte.

Më herët, Kyqi i Kuq, i pat quajtur zona lufte vetëm rajonet e trazuara, Idlibin, Homsin dhe Hamën.

Ndërkohë, raportet përshkruan luftimet në Damask si më të rëndat deri më tani në kryeqytetin sirian, derisa përleshjet kanë vazhduar në disa lagje në mes të trupave qeveritare dhe luftëtarëve opozitarë të Armatës së Sirisë së Lirë.

Korrespondentët kanë konfirmuar se gjatë natë janë përdorur mortaja dhe armë të vogla në pjesët jugore të Damaskut, rreth tri kilometra larg qendrës së qytetit.

Aktivistët opozitarë, të hënën thanë se forcat qeveritare kanë përdorur tanke dhe raketa kundër luftëtarëve opozitarë në disa lagje në pjesën jugore të qytetit. (a.i.)
XS
SM
MD
LG