Ndërlidhjet

Pritje të vogla nga vizita e Ban Ki Mun-it në Kosovë


Ban Ki Mun
Ban Ki Mun
As shqiptarët e as serbët që jetojnë në Kosovë, nuk presin që vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, e paralajmëruar edhe për Kosovën në kuadër të turneut në Ballkan, të sjell diçka spektakulare, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë dhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të vendit.

Analisti i çështjeve politike Ardian Arifaj, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, vizitën e paralajmëruar të Ban Ki Mun-it e sheh më tepër si simbolike , se sa si një vizitë që mund të sjellë dobi të madhe për Kosovën.

Kosova synon të jetë anëtare e OKB-së, por ende nuk është anëtare e saj dhe nuk ka marrëdhënie të formalizuara me OKB-në. Prandaj, edhe nuk fiton shumë. OKB-ja ende e ka misionin e vet në Kosovë dhe UNMIK-u është misioni më i madh ndërkombëtar në Kosovë, por nuk luan rol në jetën e përditshme në Kosovë. Nuk është ndonjë protagonist në Kosovë. Prandaj edhe vizita e shefit të OKB-së nuk ka me qenë ndonjë ngjarje shumë e madhe që ka për t’i lëvizur gjërat shumë”, shprehet Arifaj.

Në anën tjetër, Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut të Kosovës thotë se këta të fundit nuk presin diçka të veçantë dhe të madhe nga vizita e kreut të OKB-së Ban Ki Mun.

Megjithatë, sipas tij, serbët e veriut presin që Ban Ki Mund ta bëjë me dije se Rezoluta 12 44 ende është dokumenti më i vlefshëm për Kosovën.

Ajo që ne shpresojmë është që Ban Ki Mun ta vërtetojë se duhet të respektohet Rezoluta 12 44, ndërkohë që të gjithë ne e dimë se në kuadër të kësaj rezolute thuhet që Kosova është pjesë e shtetit të Serbisë. Shpresojmë që Ban Ki Mun do të sillet në bazë të kësaj rezolute dhe këtyre qëndrimeve dhe në anën tjetër, do të lejoj që të vazhdoj prania e UNMIK-ut në hapësirën e Kosovës, pavarësisht se në njëfarë mënyre, përmes një vendimi shumë të keq politik, Beogradi ka lejuar që EULEX-i ta zëvendësoj UNMIK-un”, thekson Jakshiq.

Sipas analistit Arifaj, megjithatë, ajo që do të jetë e rëndësishme gjatë vizitës së Ban Ki Mun-it është fakti se shefi i OKB-së do të ketë rastin që për së afërmi ta shoh situatën ën Kosovë..

Ajo që mund të jetë e rëndësishme është që zoti Ban Ki Mun të shohë vet se si është gjendja në Kosovë, pasi që Këshilli i Sigurimit është ende një forum ku raportohet për çdo tre muaj për zhvillimet në Kosovë, dhe është një forum ku Kosova dëshiron të duket sa më bukur, sa më mirë. Një raportim pozitiv nga ana e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së para këshilli të Sigurimit, me siguri se do të ishte i mirëseardhur edhe për Kosovën”, thotë Arifaj.

Por, Jakshiq shpreh mendimin se Ban Ki Mun, i cili sipas tij do të duhej të mbajë qëndrim neutral gjatë vizitës që do t’ia bëjë Kosovës, megjithatë, mund t’i bishtnojë neutralitetit.

Nuk duhet harruar se Ban Ki Mun, në veprimtarinë e tij politike, në njëfarë mënyre, më shumë ka orientim pro-amerikan. Këtë e them duke pasur parasysh qëndrimin e tij ndaj zhvillimeve në Siri. Kështu që, edhe në rastin e këtushëm, nëse jo shumë, të paktën për disa nuanca ai do të anoj kah Prishtina, që do të thotë, do të anoj kah qëndrimi amerikan. Ndërkaq, të gjithë e dimë që qëndrimi amerikan është Kosova e pavarur”, deklaron Jakshiq.

Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ka theksuar se vizita e tij ka të bëjë me faktin se në Kosovë ekziston misioni i OKB-së dhe se përgjegjësi dhe detyrë e tij është që të takohet me njerëzit e tij në Kosovë.

Gjatë turneut në Ballkan, të cilin e fillon këtë javë, Ban Ki Mun do ta vizitojë Slloveninë, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën.
XS
SM
MD
LG