Ndërlidhjet

Britania shtyn raportin për luftën në Irak


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Britania nuk do të publikojë rezultatet e hetimit për luftën në Irak deri në pjesën e dytë të vitit 2013, bëri të ditur kreu i ekipit hetues, Xhon Çikllët.

Hetimi që i kushtoi Londrës miliona funta planifikohej të raportonte gjetjet për përfshirjen e Britanisë në invazionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak në fund të vitit 2011, por publikimi ishte shtyrë për këtë verë.

Çikllët i ka shkruar tani kryeministrit britanik, Dejvid Kemeron, për ta informuar atë se publikimi i raportit do të shtyhet sërish për pjesën e dytë të vitit të ardhshëm.

“Çështjet janë komplekse dhe të vështira”, thuhet në letrën e publikuar në faqën e internetit të grupit hetues.

“Ekipi ka shënuar progres të dukshëm në draftimin e raportit, i cili do të përmbajë informata të besueshme mbi ngjarjet sikurse përfundimet e hetimit, por detyra nuk është kryer ende”, vazhdon letra.

Çikllët theksoi se raporti final mbi konfliktin nga i cili humbën jetën 179 trupa britanike në mesin e mijëra irakianëve, sipas të gjitha gjasave, do të jetë më i gjatë se një milion fjalë.

Operacionet e trupave britanike në Irak përfunduan në vitin 2009, ndërsa forcat amerikane ishin ato që lëshuan të fundit Irakun për të hyrë në Kuvajt në dhjetor të vitit të kaluar-gati nëntë vite pas ndërhyrjes që kishte për qëllim dëbimin nga pushteti të Sadam Huseinit.
XS
SM
MD
LG