Ndërlidhjet

SHBA do pengojë Iranin nga sigurimi i armës atomike

  • RFE /RL

Flamuri iranian

Flamuri iranian

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara do të përdorin “të gjitha elementet e fuqisë amerikane për të parandaluar Iranin nga sigurimi i armës bërthamore.”

Duke folur pas bisedimeve me zyrtarët e lartë izraelitë në Jerusalem, Klinton tha se gjithkush preferon një zgjidhje diplomatike, dhe se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara preferojnë të njëjtën në lidhje me Iranin.

Konsultimet e sotme ishin veçanërisht në kohë, sepse politika jonë dy kahëshe e diplomacisë dhe e presionit është në lëvizje të plotë për shkak të bisedimeve P5 +1 dhe me imponimin e sanksioneve edhe më të ashpra. Ne e dimë se sanksionet janë të ashpra, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara bien dakord për këtë. Dhe kemi biseduar për hapat konkretë, që ne mund të ndërmarrim për të vazhduar presionin”, tha Klinton.

Klinton tha se propozimet e Iranit bërë në bisedimet me fuqitë botërore- të ashtuquajturat P5 +1 - ishin propozime me të cilat nuk mund të fillohet procesi i zgjidhjes së problemit.

Sa i përket rrugës diplomatike, e kam bërë të qartë se propozimet që i kemi parë nga Irani nuk mund të jenë “pikë fillestare”. Pavarësisht tri raundeve të bisedimeve, duket se Irani duhet të bëjë një vendim strategjik për të adresuar shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar dhe të përmbushë obligimet që dalin nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Klinton.

Irani ka mohuar në mënyrë të përsëritur se po zhvillon armë bërthamore, për të cilën dyshon Perëndimi.

Klinton, që arriti në Izrael nga Egjipti i kontrolluar tash nga islamikët, tha se mesazhi për liderët egjiptianë ishte që të ruhet traktati i paqes me Izraelin.

Këtë fundjavë udhëtova në Kajro. Jam takuar me presidentin e ri, një numër të partnerëve kryesorë si dhe me marshalin Tantavi. Mesazhi im si publikisht ashtu edhe privatisht ishte i njëjtë: SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar presin nga liderët e rinj të Egjiptit që të luajnë rol konstruktiv në avancimin e paqes rajonale dhe sigurisë, në veçanti duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë traktatin e paqes me Izraelin”, tha Klinton.

Klinton nuk e ka vizituar Izraelin që nga shtatori i vitit 2010.

Analistët thonë se kjo nuk është bërë për shkak të përparimit të vogël në bisedimet e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve, për të cilat Klinton gjithashtu bisedoi me udhëheqësit izraelitë.

Bisedimet e sponsorizuara nga SHBA janë pezulluar në vitin 2010, pasi që kryeministri Benjamin Natanjahu refuzoi kërkesat palestineze që të zgjasë ngrirjen e pjesërishme të ndërtimeve të kolonive hebreje.(a.i.)
XS
SM
MD
LG