Ndërlidhjet

Maqedoni - Opozita shqiptare dhe ajo maqedonase në koalicion


Pamje nga Shkupi...
Pamje nga Shkupi...

Koalicioni mes dy partive opozitare shqiptare dhe maqedonase, PDSH dhe LSDM për zgjedhjet e ardhshme lokale, të mërkurën në Tetovë, do të zyrtarizohet nga liderët e këtyre dy partive, Menduh Thaçi dhe Branko Cërvenkovski.

Koalicioni mes tyre parasheh mbështetjen e kandidatëve të njërës apo partisë tjetër, në ato komuna që nuk mund të kalojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve. Respektivisht PDSH do të mbështes kandidatët e LSDM-së, nëse kandidati shqiptar i saj merr më pak vota se kandidati maqedonas dhe anasjelltas.

Takimi me PDSH-në do të realizohet. Kemi paraparë të kemi një drekë pune ku do të bisedojmë për bashkëpunimin e ardhshëm për zgjedhjet lokale që tashmë është paralajmëruar edhe nga PDSH-ja, ndërsa edhe LSDM-ja, para tre muajve ka autorizuar liderin e saj, që të zhvillojë bisedime me partitë opozitare shqiptare”, deklaron Andrej Petrov, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.

Koalicioni mes dy blloqeve politike vendoset thuajse 9 muaj para zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

PDSH dhe LSDM gjatë veprimit të tyre politik, asnjëherë nuk kanë bashkëvepruar, qoftë në pushtet apo opozitë, përkundrazi veprimtaria e tyre është përcjellë me mospajtime, polemika e ofendime nga më të ndryshmet, kryesisht për çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Dy partitë, PDSH dhe LSDM, pritet të dalin me qëndrime të përbashkëta sa i përket çështjeve të integrimit, respektivisht, zgjidhjes së çështjes së emrit dhe integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Ndërkohë, sa i përket çështjeve ndëretnike, dy partitë mbeten në qëndrime të kundërta.

PDSH, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët, mbetet në qëndrimin e arritjes së marrëveshjes së re politike për definimin e raporteve shqiptaro- maqedonase.

Analisti Alajdin Demiri thotë se koalicioni i këtillë nxjerr në sipërfaqe, sicc shprehet ai, cinizimin e skajshëm të klasës politike, e cila shkel mbi të gjitha parimet kur bëhet fjalë për interesat personale.

Ky koalicion është jo i natyrshëm për arsye se armiqësitë që i kultivuan Thaçi kundër Cërvenkovskit apo Cërvenkovski kundër Thaçit, tani tentohen të zhduken në mënyrë të pakuptimtë, atëherë shtrohet pyetje se cili ishte çmimi i armiqësive dhe cili është çmimi i urrejtjeve, që do të thotë se këto parti politike nuk kanë sens politik, këto parti politike apo më saktë këta liderë janë në gjendje çdo gjë të trafikojnë, çdo gjë të shesin vetëm për të mbijetuar”, thotë analisti Alajdin Demiri.

Por, ndryshe nga ai, analisti maqedonas, Petar Arsovski, thotë se në politikë gjithçka është e mundur.

Ai thotë se koalicione të këtilla jo të natyrshme ka edhe mes partive tjera.

Deri tani të gjithë flisnin kundër njëri tjetrit, por, në fund koalicionin mes vete. Kështu ka ndodhur me VMRO-DPMNE-në, e cila, thoshte se asnjëherë nuk do të bëjë koalicion me terroristët, duke menduar në BDI-në, por, ja që tani janë në koalicion, ashtu siç janë edhe Branko Cërvenkovski me Lubço Georgievski, apo tani Cërvenkovski me Thaçin. Mendoj se kjo për skenën politike në Maqedoni mund të jetë e shëndetshme, pasi do të ulë tensionet që janë të pranishme për shumë çështje”, thotë analisti Petar Arsovski.
XS
SM
MD
LG