Ndërlidhjet

Kosovë: Zjarr në varrezën e dyshuar në Zhilivodë


Ilustrim
Ilustrim
Zyrtarët e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, kanë konfirmuar se lokalitetin e Zhilivodës, në komunën e Vushtrrisë, ku njësia e mjekësisë ligjore e këtij misioni po gërmon duke gjurmuar varrezën e dyshuar masive, e ka përfshirë zjarri.

Muri me lartësi 12 metra ka qene i përfshirë nga zjarri, ndërkohë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësitet e zjarrfikësve nga Vushtrria, kanë dalë në vendin e ngjarjes.

EULEX-i ka bërë koordinimin e operacionit për fikjen e zjarrit.

Përfaqësuesit e këtij misioni kanë theksuar se kanë qenë të nevojshme më shumë se 7 orë që përhapja e zjarrit të ndalohet dhe dëmet kanë qenë të mëdha, ndërkohë që shkaktarët e zjarrit ende nuk janë vërtetuar.

Siç thuhet në komunikatën e EULEX-it, Alan Robinson, bashkëdrejtues i njësitit për mjekësi ligjore ka thënë se, për shkak të dëmeve të zjarrit, e gjithë kjo “paraqet një hap domethënës prapa, sa i përket vlerësimit të lokalitetit.

Muret kanë pësuar dëme të theksuara dhe ato duhet rrënuar tani”, thuhet në komunikatë.

Robinson, gjithashtu, ka thënë se gërmimet janë ndërprerë dhe se EULEX-i do ta bëjë vlerësimin e sigurisë për rifillimin e punimeve.

Ekspertët e EULEX-it për mjekësi ligjore si dhe kolegët e tyre vendorë nga Njësiti për Mjekësi Ligjore, në bashkëpunim me Forcat e Sigurisë të Kosovës, kanë filluar gërmimet në Zhilivodë më 5 qershor të këtij viti, dhe një gjë e tillë ishte rifillim i punës e cila kishte nisur katër vjet më parë.

Në këtë lokalitet, dyshohet se ekziston varreza e serbëve, ndërkaq, që Milorad Trifunoviq nga shoqata e personave të rrëmbyer dhe të zhdukur serbë nga Kosova, dyshon se zjarri në këtë lokacion është vënë qëllimisht, duke pasur parasysh se zjarri ka shpërthyer ditën e shtunë, ndërkaq që është ndaluar ditën e hënë, me 16 korrik.

Mua më kanë lajmëruar, lidhur me këtë, dje rreth orës 10. Më lajmëroi ekipi i EULEX-it, i cila punon për zbulimet në atë tokë, por nën mbikëqyrjen e tyre, aty punojnë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës. Ata kanë lajmëruar se zjarri ka shpërthyer ditën e shtunë dhe se përpjekjet e tyre për të marrë ekipet e zjarrfikësve të shtunën dhe të dielën, kanë qenë të pasuksesshme, ndërkohë që ato kanë ardhur ditën e hënë pas mesditës”.

Unë kam qenë sot në atë lokalitet dhe kam parë se zjarri është shuar dhe është lokalizuar. Gropa, e cila është gërmuar tashmë është mbyllur. Ne konsiderojmë se zjarri është vënë dhe se nuk ka logjikë që ky zjarr të zgjasë tre ditë dhe të mos intervenohet”, tha Trifunoviq për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Prenk Gjetaj, drejtues i komisionit qeveritar për personat e pagjetur, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ekipet e zjarrfikësve kishin intervenuar që nga dita e shtunë.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka raportuar se nuk e di shkakun e shpërthimit të zjarrit në lokalitetin e Zhilivodës, por dyshohet që ai ka shpërthyer për shkak të temperaturave të larta gjatë këtyre ditëve, si dhe daljes së gazrave nëntokësore.

Megjithatë, sipas tij, gërmimet mund të vazhdojnë dhe se nuk do të ketë ngadalësim të punëve.

Të shtunën është vërejtur (zjarri) dhe është intervenuar nga zjarrfikësit dhe është menduar se është shuar, por është riaktivizuar të dielën. Është vepruar në të njëjtën mënyrë, por të hënën, kur kanë shkuar për të punuar, është vërejtur përsëri zjarri. Kështu që, Forcat e Sigurisë së Kosovës me ekipet e veta profesionale zjarrfikëse dhe të kërkim-shpëtimit kanë intervenuar, e kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Tani zjarri është i shuar dhe vazhdojnë punimet”.

Ndryshe, zyrtarët e EULEX-it kanë theksuar se është tepër herët që të jepen çfarëdo prognozash dhe se shkaktarët e zjarrit ende nuk janë vërtetuar.

Misioni, tashmë ka nisur hetimet lidhur me këtë çështje.
XS
SM
MD
LG