Ndërlidhjet

Fundi i mbikëqyrjes rrezikon Planin e Ahtisarit në veri


Veri...

Veri...

Përmbyllja e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur pa integrimin e veriut, në Prishtinë po ngritë pikëpyetje dhe dilema të shumta.

Duke e konsideruar të përmbyllur mbikëqyrjen, konsiderohet se është zbatuar edhe Plani i Ahtisarit, mbi bazën e të cilit Kosova, në koordinim me vendet mike të perëndimit, kishte shpallë pavarësinë, por e cila para se të bëhej e plotë, duhej të kalonte nëpër fazën e mbikëqyrjes.

Shpend Kursani nga instituti KIPRED thotë se vet fakti që mbikëqyrja po përmbyllet pa integrimin e veriut po tregon se plani i Ahtisarit po mbetet jashtë opsioneve.

Fakti që pavarësia e mbikëqyrur po përmbyllet ende pa u integruar veriu atëherë fare pak mbetet që Plani Ahtisari të shërbejë për të integruar veriun, pasi që ICO-ja të mbyllet. Kjo për më shumë edhe nëse e shohim faktin që Grupi Drejtues Ndërkombëtar shumë pak e përmend çështjen e veriut, përpos që thotë se e përgëzon Qeverinë e Kosovës që e ka hapë atje zyrën administrative”, thotë Kursani.

Një mendim më ndryshe nga Kursani, shpreh ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i cili për një kohë të gjatë është marrë me këtë problematikë.

Ferati thotë se përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare nuk ndërlidhet me obligimet e institucioneve të Kosovës që i kanë për të shtrirë pushtetin ne veri.

Institucionet duhet të vazhdojnë më tutje, në rend të parë me misionet ndërkombëtare, por edhe me pjesën diplomatike dhe me një aktivizim më të fuqishëm të Brukselit që është i domosdoshëm për rritjen e presionit mbi Beogradin në mënyrë që ngadalë –ngadalë të krijohet kontakti, dialogu me qytetarët dhe krijohen parakushtet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe dalja e institucioneve legale e legjitime lokale për qytetin e Mitrovicës por edhe për tri komunat veriore”, thekson Ferati.

Plani i presidentit Ahtisari është përfshi në Kushtetutë dhe ligje të Kosovës dhe si i tillë ai do vazhdojë të zbatohet edhe pas mbikëqyrjes, thotë Sadri Ferati.

Andaj, ai nuk beson se veriu i Kosovës duhet të krijojë iluzione për një status tjetër, të veçantë, pas fazës mbikëqyrëse.

Mbikëqyrja qëllimin kryesor e ka pasur që të përkthehet Plani i presidentit Ahtisari në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, gjë që ka ndodhë. E njëjta Kushtetutë dhe të njëjtat ligje obligon të gjithë që e njëjta të ndodhë edhe në pjesën veriore dhe çfarëdo ideje që atje duhet të kërkohet diçka tjetër unë mendoj se do ta dëmton kredibilitetin e një pune të madhe që është bërë edhe të vendorëve edhe ndërkombëtarëve”, vlerëson Ferati.

Në anën tjetër, Shpend Kursani thotë se lënia anash e veriut, duke mos zbatuar atje Planin e Ahtisarit paraqet një konsensus të heshtur vendas e ndërkombëtar që kjo çështje të bartet në tavolinën e bisedimeve në kuadër të dialogut të ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo nënkupton një pajtim të gjerë të komunitetit ndërkombëtar që çështja e veriut duhet të zgjidhet në bisedat politike midis Kosovës dhe Serbisë sepse Qeveria e Kosovës deri më tash me veprimet e veta në veri nuk ka lënë asnjë element, a shpresë pos që çështja e veriut të diskutohet me Serbinë. Kjo do të thotë se ajo pjesë nuk do të jetë pjesë e Kosovës ashtu siç është paramenduar kur ëshët shpallur pavarësia e Kosovës”, thotë Kursani.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka vendosur që nga mesi i shtatorit Kosova të përmbyllë fazën e mbikëqyrjes ndërkombëtare drejt fazës së pavarësisë së plotë, ndonëse edhe atëherë disa kompetenca ekzekutive pritet t’i sigurohen dhe garantohen misionit të EULEX-it.

Sa i përket veriut, Plani i Ahtisarit nuk është zbatuar asnjëherë, pasi që atje, ka mungesë të shtrirjes së rendit kushtetues dhe funksionim të strukturave paralele të Serbisë.

Opsionet që përmenden për këtë pjesë janë nga më të ndryshmet, por forma e zgjidhjes tashmë është bërë e qartë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Adres Fog Rasmusen i cili kërkoi zgjidhje politike dhe në asnjë formë zgjidhje të dhunshme.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG