Ndërlidhjet

Partia laike fiton zgjedhjet në Libi


Libi...
Libi...
Rezultatet e zgjedhjeve të para të lira në Libi në dekadat e fundit kanë vënë në krye një aleancë liberale jofetare, që përbën një dallim nga fituesit e deritashëm të zgjedhjeve në shtetet që u transformuan pas Pranverës Arabe.

Aleanca e Forcave Kombëtare, një koalicion liberal i udhëhequr nga ish-kryeministri i përkohshëm, Mahmud Xhibril, fitoi 39 nga 80 ulëset e vëna në dispozicion për partitë politike në Kongresin e Përgjithshëm Kombëtar të vendit.

Partia për Drejtësi dhe Ndërtim, e cila ishte themeluar nga Vëllazëria Myslimane e Libisë, fitoi 17 ulëse.

Rezultatet u publikuan të martën në Tripoli në një ceremoni ku morën pjesë zyrtarët libianë-përfshirë kreun e Këshillit Kombëtar Tranzicional, Mustafa Abdel Xhalilin, kryeministri i përkohshëm, Abdel Rrahim dhe diplomatë të shumtë ndërkombëtarë.

Nuri Al Abar, kreu i Komisionit të Lartë Kombëtar të Zgjedhjeve në Libi, kumtoi rezultatet e procesit zgjedhor.

Së pari, Aleanca e Forcave Kombëtare ka fituar 39 ulëse. Partia për Drejtësi dhe Ndërtim ka fituar 17 pozita. Partia e Forcës Kombëtare ka marrë tri ulëse. Aleanca për Demokraci dhe Zhvillimin e Jetës në Luginë ka fituar dy ulëse dhe Bashkimi për Atdhe ka fituar poashtu dy”, tha ai.

Sidoqoftë, mbetet e paqartë se kush do të dominojë në parlamentin e ardhshëm, meqë islamistët, të cilët i kanë fituar zgjedhjet në Egjipt dhe Tunizi, ende kanë një mundësi për ta ndarë pushtetin. Kjo, për shkak se balanci i fuqisë udhëheqëse qëndron tek 120 ulëset e parashikuara për kandidatët e pavarur.

Koalicioni liberal i Xhibrilit dhe islamistët, sipas të gjitha gjasave, do të përpiqen t’i bindin partitë e vogla për formimin e një blloku qeverisës në parlamentin e ri, ku vendimet kryesore dhe legjislacioni kërkon dy të tretën e shumicës për t’u miratuar.

Të paktën 30 femra kanë fituar ulëse në parlament. Në përgjithësi, femrat kanë siguruar 16.5 për qind të 200 ulëseve.

Kongresi do të emërojë një qeveri të re të përkohshme, e cila do ta udhëheq vendin për një tranzicion njëvjeçar, derisa zgjedhjet të mund të mbahen bazuar në një kushtetutë të re.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Libi ishin mbajtur pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1952.

Komisioni Zgjedhor bëri të ditur se në zgjedhjet e 7 korrikut kanë marrë pjesë 62 për qind e votuesve të regjistruar. (e.p.)
XS
SM
MD
LG