Ndërlidhjet

Jahjaga përjashton statusin special për veriun


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga
Gjatë ditës së mërkurë, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me presidentin e Këshillit e Evropian, Herman von Rompoj, e më pas edhe me kryetarin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso.

Në të dyja këto takime është biseduar për raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, situatës në Kosovë dhe detyrave që Kosova duhet të përmbushë në procesin e integrimeve evropiane, sikur edhe për bashkëpunimin rajonal dhe për përpjekjet që duhet të bëjë Kosova për të afruar qytetarët me përkatësi etnike serbe në Kosovë.

Presidenti i Komisionit Evropian dhe presidenti i Këshillit të BE-së kanë porositur Kosovën se do të vazhdojë të ketë mbështetjen e Bashkimit Evropian, porse duhet gjithashtu edhe të shfrytëzojë praninë e BE-së në Kosovë, përfshirë edhe EULEX-in, për të përfituar në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Porosi e përbashkët e Barrosos edhe e Von Rompojit ka qenë se Kosova duhet të bëjë përpjekje për t’i afruar qytetarët e veriut të Kosovës. Lidhur me këtë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se Kosova, përmes procesit të decentralizimit ka mundësuar që 11 nga 38 komuna të Kosovës të jenë të rezervuara për shumicën etnike që përbëjnë ato komuna - në 10 serbët dhe në 1 turqit.

Ajo ka thënë se sa i përket veriut, Kosova do të bisedojë me përfaqësuesit, siç është shprehur ajo, legalë dhe legjitimë, por, sipas saj, Kosova nuk do të pranojë asnjë autonomi apo status special të veriut.

“Nuk mund të ketë ndonjë trajtim ndryshe në veri nga trajtimi që ka Kosova për qytetarët e saj serbë, për shembull në komunën e Shtërpcës apo në komunat tjera të Kosovës”, ka thënë Jahjaga.

Presidenti i Këshillit Evropian Herman von Rompoj ka theksuar se ky vit ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe i frytshëm në rrugën e afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe këtu ka përmendur procesin e nisjes së dialogut të liberalizimit të vizave, dialogun e intensifikuar për sundimin e ligjit, si dhe punën që është duke bërë Komisioni Evropian në përpilimin e Studimit të Fizibilitetit.

Presidentja e Kosovës, Jahjaga, ka shprehur shpresën se së shpejti, më saktësisht gjatë vitit që vjen edhe qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Mirëpo, në BE nuk dëshirojnë që të përmendin data të tilla, duke thënë se për këtë varet se si do t’i përmbushë Kosova kriteret në procesin e liberalizimit të vizave.

Në orët e mbrëmjes, Jahjaga zhvillon një darkë pune me Komisionarin për Zgjerim, Shtefan Fyle.

Vizita e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Bruksel, do të vazhdojë edhe gjatë ditës së enjte ku ajo do të ketë takim edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Anders Fog Rasmusen.(a.p.)
XS
SM
MD
LG