Ndërlidhjet

Vazhdon traditën rrjeti i "shitësit të vdekjes"


Viktor Bout
Viktor Bout


Një raport i ri i një organizate ndërkombëtare joqeveritare tha se trashëgimia e trafikuesit rus të armëve, Viktor Bout, që njihet ndryshe si "shitësi i vdekjes", jeton përmes ish ndihmësve të tij kryesorë - në një rrjet në hije që nga Afrika në Iran, Rusi dhe në SHBA.

Raporti nga Keti Lin Ostin – drejtoreshë ekzekutive e Projektit për Ndërgjegjësimin mbi konfliktet (Conflict Awareness Project) tha se ish rrjeti i trafikimit të Boutit është rimbledhur, dhe aty janë përfshirë shumë nga anëtarët e njëjtë, pavarësisht dënimit dhe burgimit të Boutit në vitin 2011.

Ai është arrestuar në Tajlandë në vitin 2008 dhe është ekstraduar në SHBA në 2010 për t’u përballur me akuzat për terrorizëm, pasi që u akuzua se ka pasur për qëllim kontrabandimin e armëve për kryengritësit në Kolumbi, të cilat do përdoreshin pastaj kundër forcave amerikane. Ai është dënuar me 25 vjet burg nga një juri e Nju Jorkut.

Në raportin e saj, Ostin shpalos aktivitetet e dy ish ndjekësve kryesorë të Boutit -- Sergei Denisenko dhe Andrei Kosolapov – si dhe rrjetit të tyre të trafikimit, i cili shtrihet nga Mauritania, SHBA, Finlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Afrika Jugore në Iran, Somali, Sudan dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Në të thuhet se dy kompani të sanksionuara nga SHBA- Kompania Kombëtare Iraniane dhe FKJ Cargo Iran – kanë lidhje me Denisenkon.

Ostin tha se Kosolapov personalisht i ka thënë asaj se qeveria ruse në një mënyrë jep ‘pëlqimin’ për trafikantët e armëve, në atë që shihet si nxitje e tregtisë. Organizata e saj ia ka siguruar RFE/RL pjesën tonike të Kosolapov nga intervista e Ostinit.

Dikush thotë se (trafikimi i armëve) është i gabuar, tjerët thonë se është në rregull. OK, kush jeni ju? Ju jeni rus. Çka thotë Rusia? Rusia thotë se është në rregull. Punë fare e lehtë”, thotë Kosolapov për të shtuar:

E di, se po bëj biznes legjitim, sepse jam rus”, thotë ai.

Denisenko, i cili gjendet në listën e zezë të të bërit biznes me ndonjë kompani amerikane për shkak të lidhjeve të afërta me Boutin, ka siguruar një marrëveshje me një kompani finlandeze, përmes së cilës mundësoi ta marrë me qira një aeroplan të një kompanie australiane në Bangor, Maine.

Denisenko dhe Kosolapov prisnin një certifikatë operimi nga Mauritania për të nisur aktivitetet e tyre të plota. Këtë muaj Mauritania ua refuzoi certifikatën, dhe tash po i heton aktivitetet e tyre.

Ostin tha se rrjeti është financuar përmes kompanisë së Denisenkos me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, “Avialinx”, e cila ka lidhje me Iranin. Ajo e përshkruan se si punon rrjeti.

Ne kemi një kompani që kishte selinë jashtë Emirateve të Bashkuara Arabe, që financonte një ndërmarrje të përbashkët nga Rusia, Afrika Jugore dhe Mauritania. Nga jug-afrikanët kemi aeroplanët e siguruar prej SHBA-së. Aeroplanët lëshohen me qira përmes një kompanie evropiane, ndërsa shërbimet e kontabilitetit kryhen në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo natyrë multi-juridiksionale e një rrjeti të madh ilegal të trafikimit të armëve është arsyeja se pse na duhet një traktat shumë i fuqishëm i armëve”, thotë Ostin.

Negociatat e gjata një - mujore në OKB, që synonin arritjen e marrëveshjes së parë detyruese të tregtisë së armëve u shtynë për një javë për shkak të mospajtimeve mbi procedurat. Organizatat joqeveritare thonë se bisedimet po zhvillohen një javë pas afatit, e megjithatë pritet të përmbyllen më 27 korrik.

Ndër çështjet kryesore janë ato nëse marrëveshja do të rregullojë shitjen e municionit, nëse ajo do të përmbajë një dispozitë për të parandaluar transferimin e armëve në zonat ku ata do të përdoren për të shkelur ligjin e të drejtave të njeriut, dhe nëse “armët e vogla jo-ushtarake” do të përfshihen në traktat.

Drejtori i Sekretariatit për Kontrollin e Armëve Xhef Abramson tha se “nuk ka kuptim”, që të përjashtohen armët e vogla joushtarake”. Ai tha se Irani, së bashku me disa shtete tjera, ka qenë problematik në negociatat.

Ende mbetet grupi i të ashtuquajturave shteteve skeptike. Ato janë të zëna në procesin, por ne mendojmë se vizioni i tyre për traktatin nuk është i ngjashëm me atë të shumicës, dhe ato janë ende aktive. Këtu përfshihen shtetet si Egjipti, Siria, Algjeria, Irani, Kuba dhe Koreja Veriore, të cilat refuzojnë parimet bazë mbi të drejtat e njeriut”, tha Abramson.

Që të miratohet traktati, kërkohet një konsensus në mes të të gjitha shteteve anëtare, rrjedhimisht, secilit delegacion i jepet e drejta e vetos.(a.i.)
XS
SM
MD
LG