Ndërlidhjet

logo-print

Kërkohet minimumi i vullnetit të liderëve për reformën zgjedhore


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për mandatin e plotë të presidentes Atifete Jahjaga ka ndikuar edhe në ecurinë dhe dinamikën e punës në reformën zgjedhore.

Sipas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet liderëve politikë të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, parashihej mandat i shkurtuar për postin e presidentes, si dhe mandat jo i plotë i Qeverisë dhe Kuvendit deri në rrumbullakimin e reformave zgjedhore e kushtetuese.

Por, Gjykata Kushtetuese doli me interpretimin se kjo marrëveshje e liderëve politikë ishte në kundërshtim me aktin më të lartë juridik

Tani, Komisioni për Reformën Zgjedhore ka fare pak kohë gjatë shtatorit që të përmbyllë mandatin që ka marrë nga Kuvendi.

Fillimisht, ishin liderët e partive politike ata që ndikuan në zvarritje, ngase injoruan kërkesat e komisionit për harmonizimin e disa çështjeve që kërkonin konsensusin politik.

Ndërkaq së dyti, vendimi i Kushtetueses se mandati i institucioneve nuk mund të ndryshohet me marrëveshje politike, e ka vënë në dyshim punën dhe rezultatin e arritur deri më tani.

Kryetari i Komisionit, Haki Demolli, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se e gjithë puna ka mbaruar, me përjashtim të çështjeve që kërkojnë harmonizimin nga liderët e partive politike.

Ne, si komision çështjet e karakterit juridiko - teknik i kemi përfunduar të gjitha, e në anën tjetër ato çështjet e karakterit politik në njëfarë forme janë varur nga liderët politikë, ngase propozimet kanë qenë divergjente dhe ka pasur dallime të mëdha mes propozimeve që janë drejtuar në komision”, thotë Demolli.

Ngecjet në këto reforma kanë të bëjnë me çështjet e natyrës politike që kanë të bëjnë me sistemin e ardhshëm zgjedhor që do të parashihet me ligjin përkatës.

Pa pëlqimin e liderëve të partive politike, Komisioni nuk mund të japë vetë një zgjidhje.

Anëtari i Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Halit Krasniqi, përmend çështjet e hapura që presin vendimin dhe konsensusin politik të liderëve të subjekteve politike.

Çështjet e sistemit zgjedhor, zonave se sa do të ketë një apo më shumë zona, çështja e listave të hapura apo të mbyllura dhe pragu zgjedhor, këto çështje nuk mund të vendosen brenda komisionit, por duhet patjetër një qëndrim i liderëve dhe subjekteve politike”, thekson Krasniqi.

Kur ishte formuar, Komisioni për Reformën Zgjedhore kishte një mandat prej nëntë muajve e më pas Kuvendi i zgjati atij mandatin edhe për tre muaj.

Shtatori është koha e fundit kur do të duhej të kryhej puna e nisur e reformave.

Në opinion dhe në skenën politike tashmë ka ide që subjektet politike të ulen edhe një herë dhe të diskutojnë për një marrëveshje të re.

Por, sipas Haki Demollit, marrëveshja e re nuk është zgjidhje.

Nuk e di se sa do të jetë e logjikshme marrëveshja e re nëse nuk zbatohet marrëveshja e vjetër. Tekefundit do të jenë thuajse akterët e njëjtë në këtë marrëveshje”, shprehet Demolli.

Ngjashëm me deputetin e LDK-së, Haki Demolli, mendon edhe kolegu i tij nga PDK-ja, Halit Krasniqi. Marrëveshja e re politike për reformat zgjedhore tash kur ka përfunduar puna më e madhe, sipas tij, është një kthim prapa.

Konsideroj dhe gjithashtu edhe në PDK mbizotëron që nuk ka nevojë për marrëveshje të re. Mjafton vetëm një minimum i vullnetit të liderëve politikë dhe pastaj këtu do të shkojë gjithçka në rregull”, thotë Krasniqi.

Ndryshe, reforma zgjedhore bën pjesë në kuadër të pesë top-prioriteteve që Komisioni Evropian ia ka vënë Kosovës si parakusht për vlerësim pozitiv në kuadër të studimit të fizibilitetit, krahas reformës së administratës publike, sundimit të ligjit, zhvillimit të tregtisë së lirë dhe trajtimit të minoriteteve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG