Ndërlidhjet

Tarifa e çimentos, ngre çmimin e betonit


Ilustrim
Ilustrim
Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i një muaji më parë për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35 për qind, ka çrregulluar tregun e Kosovës, thonë përfaqësues të kompanive të ndërtimit, njohës të ndërtimtarisë, si dhe përfaqësues të bizneseve.

Ky vendim, sipas tyre, ka ngritur çmimin e betonit dhe rrjedhimisht ka reflektuar në ngritjen e çmimit të ndërtimit në Kosovë.

Kompania “FITORJA” është një prej prodhuesve më të mëdhenj të betonit në Republikën e Kosovës.

Zeqë Bakolli nga kjo kompani tregon se vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka ndikuar në ngritjen e çmimit të betonit për 3.5 euro.

“Ndërprerja e furnizimit të çimentos nga Shqipëria te ne ka ndikuar në ngritje të çmimit të betonit për 3.5 euro. Përderisa jemi furnizuar me çimento nga Shqipëria, kemi dalë me çmim më të ulët në shitjen e betonit, ndërsa për punën e furnizimit është krijuar një avari e madhe edhe në pritje”, thotë Bakolli, për Radion Evropa e Lirë.

Bakolli thekson se deri më tani nuk janë aspak të kënaqur me kualitetin e çimentos të ndërmarrjes “SharrCem”.

Ndërmarrja “SharrCem” aktualisht është prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i çimentos në Kosovë. Kjo ndërmarrje kishte ngritur shqetësim se po dëmtohet nga importi i çimentos dhe më pas Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte marrë këtë vendimi.

Ndërkaq, Muhamet Vranica, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës nuk e vë fare në dyshim ngritjen e çmimit të betonit pas vendimit për tarifë 35 për qind për importuesit e çimentos.

“Sigurisht që ka ndikuar pasi që është vendosur tarifa për 35 për qind, do të ndikojë në aq për qind në çmimin e betonit, pasi çimento është parametri kryesor që e shkakton rritjen e çmimit. Pesëdhjetë për qind e çmimit të materialit është çmimi i çimentos”, thekson Vranica.

Ky vendim ishte diskutuar edhe në dy seanca të Parlamentit të Kosovës. Deputetët kishin kërkuar që ministrja të shfuqizojë vendimin apo të japë dorëheqje nga pozita, të cilën e mban, por asnjëra nga këto deri më tani nuk ka ndodhur.

Sidoqoftë, sipas ekspertit të ndërtimtarisë, Fevzi Mehmeti, ky vendim ka pasur efekte mjaft negative. Ai thotë se përveç ngritjes së çmimit të betonit, vendimi i MTI-së ndikon edhe në ngritjen e çmimit të ndërtimeve.

“Kostoja e betonit do ta rrisë edhe koston e ndërtimit, e ndoshta do të ngadalësojë edhe procesin e ndërtimit, kur kihet parasysh se në këtë fazë ndërtimet janë në vlugun e punimeve, ata që kanë filluar të ndërtojnë nuk mund të presin dhe duhet të punojnë edhe me ato çmime”, vlerëson Mehmeti.

Menjëherë pas vendosjes së masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35 për qind, kishin reaguar përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës.

Tani pas një muaj e më shumë të këtij vendimi, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tregon për efektet e këtij vendimi:

“Në përgjithësi, efekti psikologjik që krijon një vendim i tillë pastaj ndikon edhe te çmimet, me një lloj paniku në treg që është krijuar ka pasur indikacione që disa shitës me pakicë dhe shumicë të materialeve ndërtimore kanë filluar t’i ngritin çmimet”.

Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35 për qind, kishte ngritur dilema se Kosova kishte shkelur Marrëveshjen për Tregti të Lirë, CEFTA.

Por, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, kishte deklaruar se ky vendim nuk është në kundërshtim me Marrëveshjen e CEFTA-s.

CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kurse Kosova është anëtare e këtij mekanizmi që nga viti 2007.
XS
SM
MD
LG