Ndërlidhjet

Irani mohon lidhjet me sulmin në Bullgari


Autobusi i shkatërruar pas sulmit në Burgas
Autobusi i shkatërruar pas sulmit në Burgas

Ambasada e Iranit në Bullgari ka hedhur poshtë akuzat e Izraelit se Irani qëndron prapa sulmit vetëvrasës me bombë në një autobus në qytetin bullgar të Burgasit, ku u vranë të paktën shtatë persona, përfshirë pesë izraelitë.

Ambasada iraniane përmes një deklarate i quajti akuzat izraelite “të pabaza”.

Zyrtarët izraelitë e kanë akuzuar Iranin dhe aleatin libanez të tij, Hezbollah se e kanë organizuar sulmin e së mërkurës.

Izraelitët, që kishin arritur nga Tel Avivi me aeroplan, po hipnin në autobus, kur ka ndodhur shpërthimi.

Autoritetet bullgare thanë se në mesin e të vdekurve përfshihen pesë turistë izraelitë, një shofer bullgar i autobusit dhe sulmuesi vetëvrasës.

Kryeministri bullgar Boiko Borisov, ka thënë se një patentë shoferi amerikane e sulmuesit ishte e falsifikuar dhe se identiteti i sulmuesit nuk dihet ende.

Burgas...
Burgas...
Shpërthimi në Burgas është sulmi më vdekjeprurës për qytetarët izraelitë jashtë vendit, që nga viti 2004, kur 12 izraelitë u vranë në një sulm me bombë në Gadishullin Sinai të Egjiptit.

Shpërthimi, gjithashtu, ndodhi në përvjetorin e 18 të bombardimeve të vitit 1994 në qendrën e komunitetit hebre në Argjentinë, ku mbetën të vrarë 85 njerëz.

Zyrtarët iranianë dhe Hezbollahu qenë implikuar në disa hetime zyrtare për sulmin - akuzat këto të mohuara nga Teherani.

Kryeministri bullgar, Boiko Borisov, ka thënë të enjten se janë duke u zhvilluar hetime për të identifikuar sulmuesin e dyshuar të Burgasit, trupi i të cilit raportohet se ka pësuar dëmtime të shumta.

“Ne kemi prova të forta për të besuar se (akti terrorist) ishte vepër e një sulmuesi vetëvrasës. Ne kemi punuar nga afërme kolegët tanë të FBI-së dhe CIA-s dhe asnjë informacion nuk u gjet rreth autorit të supozuar në databazën e tyre. Pra,ne mund të themi me siguri se një nga viktimat kishte dokumente të rreme”, ka theksuar Borisov.

Ministria e Jashtme e Izraelit ka thënë të enjten se ka “informacione solide” se Irani dhe Hezbollahu janë të përfshirë në kryerjen e sulmit, por nuk ka ofruar detaje.

Kamera e sigurisë e aeroportit tregon bombarduesin vetëvrasës që pretendohet se shpërtheu në një autobus me turistë izraelitë në aeroportin e Burgasit më 18 korrik 2012
Kamera e sigurisë e aeroportit tregon bombarduesin vetëvrasës që pretendohet se shpërtheu në një autobus me turistë izraelitë në aeroportin e Burgasit më 18 korrik 2012
Kryeministri Benjamin Natanjahu ka thënë se vendi i tij “do të reagojë fuqishëm kundër terrorit iranian.”

Izraeli ka fajësuar Iranin për një varg të sulmeve të fundit që kishin në shënjestër izraelitët në Tajlandë, Indi, Gjeorgji, dhe vende të tjera.

Një koment i postuar të enjten në faqen e internetit të kanalit televiziv shtetëror të Iranit i ka quajtur pretendimet e Izraelit si “qesharake.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, e ka dënuar shpërthimin, duke thënë se terrorizmi “nuk mund të tolerohet apo justifikohet.”

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se ata që janë përgjegjës për shpërthimin, “duhet të identifikohen dhe të ndëshkohen”.

Zyrtarët izraelitë dhe bullgarë, ndërkohë, i kanë koordinuar përpjekjet për t’iu ndihmuar izraelitëve të plagosur në këtë shpërthim dhe për t’i identifikuar të vdekurit.

Një aeroplan ushtarak izraelit u përgatit që t’i kthejë në Izrael 30 izraelitët e plagosur, të cilët janë shtrirë përkohësisht në një spital në Burgas.

Një aeroplan i qeverisë bullgare do t’i kthejë rreth 100 izraelitë, të cilët nuk u plagosën në sulm, por duan t’i shkurtojnë pushimet e tyre.(a.i.)
XS
SM
MD
LG