Ndërlidhjet

logo-print
Cilësia e dobët e derivateve të naftës, mungesa e territoreve të lira për të vepruar, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, janë vetëm disa nga parregullsitë e përmendura në sektorin e derivateve të naftës, nga Ramadan Buzhala, ish-kryesues i Këshillit për Licencim të Naftës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Buzhala, i cili nga ky post është shkarkuar në muajin nëntor të vitit të kaluar, e quan kaotike gjendjen në sektorin e derivateve të naftës në vend.

Buzhala për Radion Evropa e Lirë, thotë se kontrolli i cilësisë së naftës nuk është i rregulluar në mënyrë të duhur me udhëzime administrative, dhe për këtë sa ka qenë në pozitë, ka kërkuar që në pikat doganore të funksionojnë tre laboratorë, ndërsa një të veprojë brenda territorit.

“Kosova është treg i veçantë jo vetëm në rajon dhe Evropë, por edhe në botë. Nuk ka as një vend në botë që importon mbi 80 për qind të produkteve në maune. S’ka mundësi tjera të furnizimit, dhe krejt ato maune, deri në 60 sa hyjnë brenda ditës, ato duhet të kenë një kontroll më specifik”.

“Unë atëherë kam kërkuar që të funksionojnë tre laborator në pikat doganore dhe një laborator brenda në terren. Kurse, veprimi i tyre të jetë në mënyrë ciklike, do të thotë që asnjëherë mos të qëndrojnë më tepër se 6 muaj në një pikë doganore. Do të thotë se brenda në terren të jetë si një laborator koordinues që secili të ketë mundësi të kontrollojë secilin dhe ekipet tona shtesë”, thotë Buzhala.

Edhe, përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve kërkojnë nga autoritetet kompetente që të mos krijohet monopol, të krijohen rregulla në cilësi dhe sasi.

Nazmi Bytyçi, udhëheqës i kësaj shoqate, madje thekson se duhet të respektohet udhëzimi administrativ i vitit të kaluar që nafta në Kosovë të shitet vetëm me 10 ppm (10 ppm=1 pikë sulfur në 50 litra naftë).

“Ne si shoqatë kemi takime të rregullta me afaristë që merren me këtë lëmi dhe kemi brengat tona që mos të krijohen monopole. Kërkojmë të zbatohet udhëzimi administrativ që është në fuqi, i cili plotëson standardet ndërkombëtare e që është 10 ppm”, shprehet Bytyçi.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile shprehin shqetësime për parregullsitë në tregun e karburanteve të naftës. Selatin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”, thotë se në treg është vërejtur se shitet naftë deri në 140 herë më tepër ppm se sa lejojnë standardet ndërkombëtare. Ai, madje, thotë se nafta në Kosovë është kancerogjene.

“Unë nuk po flas për letra, nuk po flas për dokumente dhe vendime, por po flas për realitetin në terren. Realiteti në terren është ky, se në Kosovë tregtohet në shumë raste me derivate kancerogjene, me më shumë se 10 ppm. Në këtë mënyrë, popullata, në aspektin shëndetësor është duke u rrezikuar dukshëm”, thekson Kaçaniku.

Por, të gjitha akuzat dhe shqetësimet hidhen poshtë nga zyrtarë të Qeverisë.

Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se Republika e Kosovës ka vendosur standardet më të lartat sa i përket cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës. Ky produkt, sipas tij, importohet nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, sa i përket parregullsive tjera të përmendura nga ish-zyrtarë të MTI-së, se kompani të ndryshme favorizohen nga autoritetet kompetente, Shehu sqaron:

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si rregullatore e kësaj fushe, nuk ka asnjë privilegj ndaj asnjë kompanie sa i përket kontrollit të cilësisë së karburanteve të lëngata të naftës që futen përmes pikave doganore”.

“Në këtë drejtim mund t’i sqaroj opinionit se kontrollet dhe raportet ditore janë të përditshme sa i përket kontrollit të cilësisë në të gjitha pikat doganore dhe për të gjithë importuesit. Nuk ka pardon, as lejime e favore për asnjë kompani”.


Vetëm gjatë 24 orëve në territorin e Kosovës hyjnë 1500 tonelata derivate të naftës.

Ndërkaq, në muajin shtator të vitit të kaluar ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për cilësinë e karburanteve të naftës, me të cilin ndalohet importi i derivateve të naftës me njësinë matëse të sulfurit “50 ppm”, dhe lejohet vetëm me atë “10 ppm”.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG