Ndërlidhjet

"Shkupi 2014", projekt i ndarjes etnike


Statuja e Aleksandrit të Madh, pjesë e projektit "Shkupi 2014".
Statuja e Aleksandrit të Madh, pjesë e projektit "Shkupi 2014".
Partia më e madhe maqedonase, LSDM, e cila ka iniciuar dhe debatin për të rishikuar mjetet e shpenzuara rreth projektit “Shkupi 2014” konsideron se projekti në fjalë shtetin e fut në humnerë, si në aspektin financiar, ashtu dhe atë politik.

Deputeti Jani Makraduli nga LSDM-ja duke theksuar se koston e ndërtimit të projektit “Shkupi 2014” e paguajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, veprimet e kryeministrit Grruevski i ka krahasuar me ato të Hitlerit.

“Projekti ‘Shkupi 2014’ është bërë sipas metodave të Hitlerit, për shkatërrimin e popullit maqedonas dhe shtetësisë maqedonase. Ëshët projekt, i cili na ndan në baza etnike, na përçan në baza fetare, projekt i cili thellon hendekun mes familjes së pasur dhe qytetarëve të tjerë mizorë të Maqedonisë. ‘Shkupi 2014’ është i paramenduar për të vjedhur popullin maqedonas”, është shprehur Makraduli.

Por, deputetët e VMRO DPMNE-së, të partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, janë arsyetuar se shteti për herë të parë në mënyrën më dinjitoze investon në kulturën dhe historinë maqedonase, e cila është lënë pas dore me dekada të tëra.

“Me deklaratat e këtilla duke përmendur Hitlerin, ju si opozitë nuk mbroni të drejtat e qytetarëve, por viheni në shërbim të interesave të Greqisë dhe Bullgarisë, të cilët kontestojnë identitetin dhe gjuhën maqedonase”, ka thënë deputeti i VMRO DPMNE-së Vllatko Gjorcev nga partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, duke shtuar se projekti “Shkupi 2014” në esencë është projekt, përmes të cilit ngrihen ndërtesa për institucionet shtetërore.

Ndërkohë, opozita shqiptare projektin e ka cilësuar si projekt antishqiptar që rrezikon edhe stabilitetin e vendit, ngase bëhet fjalë për projekt mono-etnik, mono-fetar, projekt që nuk përkon me realitetin në Maqedoni dhe që kërcënon dhe raportet ndëretnike në vend.

Deputetët e PDSH-së kanë vlerësuar se fajtor për investimet marramendëse nuk është VMRO DPMNE dhe kryeministri Gruevski, por partneri shqiptar i koalicionit, BDI, që e lejon ndërtimin e projektit, duke mos e penguar përmes Parimit të Badinterit.

“Vetë fakti se në kohën kur sillej ky projekt, nuk e kanë bllokuar, dhe sot e kësaj dite tanimë sa vite nuk është diskutuar në asnjë seancë parlamentare se cila është kostoja e ndërtimit të këtij projekti. Njëherësh nuk është votuar gjegjësisht nuk ka kaluar asnjë filtër të parlamentit apo këshillat komunal ku dhe shtrihet, me automatizëm e bën fajtor BDI-në, e cila me forcën e gishtave të Parimit të Badinterit (votimit të shumicës së dyfishtë) nuk e ka penguar realizimin e të njëjtit”, ka theksuar deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela.

Sipas tij, heshtja e deputetëve të BDI-së në këtë debat parlamentar praqet “pranim të fajit”.

Ndërkaq, partia tjetër opozitare, RDK, përmes deputetit Izet Zeqiri projektin në fjalë e ka quajtur “varrezë financiare” për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë.

Debati rreth projektit “Shkupi 2014’ ka intriguar pothuajse të gjithë deputet të paraqiten për të debatuar, gjë që e bën të vështirë parashikimin se kur mund të përfundojë, përderisa ekspertët konsiderojnë se nxitja e interesimit ka të bëjë me faktin se vendi për më pak se një vit do të realizojë zgjedhjet vendore dhe, sipas tyre, ky debat paraqet pjesë të fushatës zgjedhore që, siç shprehen, duket se ka filluar para kohe.
XS
SM
MD
LG