Ndërlidhjet

logo-print

Luftëtarët e opozitës siriane marrin kontrollin në pikat kufitare

  • RFE /RL

Siri

Siri

Luftëtarët e opozitës siriane morën kontrollin në disa pika kufitare për në Irak dhe Turqi në kohën kur po vazhdojnë luftimet e përgjakshme në vend, për ndërprerjen e të cilave nuk u arrit pajtim në Këshillin e Sigurimit pas përdorimit të vetos nga Rusia e Kina mbi draft-rezolutën britanike.

Luftëtarët e opozitës thuhet se sulmuan disa pika kufitare dhe, pasi vranë 21 trupa qeveritare, morën kontrollin në të paktën njërën nga pikat kryesore të kalimit për në Irak-atë në Abu Kamal.

Zëvendësministri i Brendshëm i Irakut, Adnan Al Asadi, i tha AFP-së se luftëtarët e Ushtrisë Siria e Lirë kanë marrë kontrollin në të gjitha pikat në kufirin ndërmjet të dy shteteve, i cili është 600 kilometra i gjatë.

Deklarata e tij, megjithatë, nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Raportet thonë se dy pika kufitare me Turqinë-Bab Al Hava dhe Xharablus, janë zënë po ashtu nga rebelët, të cilët më vonë kanë braktisur njërën prej tyre.

Në Damask, trupat besnike ndaj presidentit Bashar Al Asad, përdorën artilerinë dhe helikopterët luftarakë, një ditë pas vrasjes së tre zyrtarëve që konsiderohet të kenë qenë të rëndësishëm për regjimin e Asadit.

E enjtja cilësohet të ketë qenë dita më e përgjakshme që nga nisja e protestave kundër Asadit në mars të vitit të kaluar; aktivistët flasin për rreth 250 viktima në shtet-përfshirë më shumë se 100 civilë.

Kina e Rusia, ndërkaq, përdorën veton ndaj një draft-rezolute të paraqitur në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit, me të cilën do t’i zgjerohej mandati misionit vëzhgues të Kombeve të Bashkuara në Siri, ndërsa do të zbatoheshin sanksione ndaj regjimit të Asadit.

Ambasadorja amerikane në OKB, Suzën Rajs, kritikoi ashpër qëndrimin e Rusisë, sipas të cilit, rezoluta e mbështetur nga vendet perëndimore do t’ia hapte derën një ndërhyrjeje ushtarake.

“Ajo as nuk do të impononte sanksione në këtë fazë dhe pavarësisht paranojës apo qëndrimit të pasinqertë të disave, ajo në asnjë mënyrë nuk do ta autorizonte ose hapte rrugën ndonjë ndërhyrjeje të huaj ushtarake”, tha Rajs.

Ajo e quajti veton e së enjtes, e cila është e treta në 10 muajt e fundit “madje më të rrezikshme dhe më të mjerueshme” se sa dy të parat.

Mandati i misionit ndërkombëtar vëzhgues në Siri skadon të premten, ndërsa për ta vazhduar atë nevojitet një rezolutë e Këshillit deri në fund të ditës së premte.

Ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Mark Liell Grant, vuri në qarkullim një draft-rezolutë “teknike” gjatë pasdites të së enjtes, me të cilën misionit vëzhgues në Siri do t’i vazhdohej mandati për 30 ditë.

Pamjet e para të Asadit që nga sulmi i së mërkurës në Damask u transmetuan të enjten nga televizioni shtetëror duke u dhënë fund spekulimeve se ai mund ta ketë braktisur vendin, apo se mund të jetë plagosur.

Pamjet e transmetuara tregonin Asadin teksa po emëronte ministrin e ri të Mbrojtjes, Fad Jasim Al Frej, i cili pason Daud Raxhan që u vra gjatë sulmit të së mërkurës.

Megjithatë, mbetet e paqartë se në cilin vend ndodhet Asadi aktualisht.

Ndërkohë, autoritetet libaneze njoftuan se rreth 20 mijë sirianë kanë braktisur vendin për të hyrë në Liban që nga e mërkura.(e.p.)
XS
SM
MD
LG