Ndërlidhjet

Siri: Ofensivë e forcave qeveritare në Damask


Pamje nga një video që tregon një eksplodim në një lagje të Damaskut
Pamje nga një video që tregon një eksplodim në një lagje të Damaskut
Forcat qeveritare të Sirisë e kanë lansuar një ofensivë të përgjithshme kundër pozicioneve të kryengritësve në kryeqytetin Damask, derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka zgjatur edhe për 30 ditë mandatin e misionit vëzhgues të OKB-së në Siri.

Njëherësh, mijëra civilë kanë vazhduar të largohen nga Siria për në Liban dhe Irak, për të ikur nga dhuna.

Numri i të vdekurve nga dhuna gjatë dy ditëve të fundit është 470 vetë, që është njëra nga periudhat më vdekjeprurëse prej fillimit të kryengritjes kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad.

Forcat lojale ndaj presidentit e kanë rimarrë kontrollin ndaj një lagjeje të Damaskut, ndërsa luftimet po vazhdojnë në lagjet e tjera.

Përleshje të kryengritësve me trupat e qeverisë ka pasur edhe në qytetin Alepo, një ditë pasi kryengritësit e kishin marrë kontrollin ndaj pjesës më të madhe të vendkalimeve kufitare për në Irak dhe Turqi.

Shefi i sigurisë së Asadit, Hisham Ihtijar, ka vdekur dje nga plagët e sulmit të së mërkurës, nga i cili u vranë tre bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Asad.

Vendi i ndodhjes së Asadit mbetet i panjohur.
XS
SM
MD
LG