Ndërlidhjet

logo-print

Kur anëtarësohet Kosova në BERZH?


Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim


Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është duke shënuar progres të vazhdueshëm, thonë zyrtarë të ekzekutivit. Por, ata nuk japin ndonjë afat kohor se kur autoritetet kompetente do të aplikojnë për anëtarësim.

Muharrem Shahini, nga Ministria e Financave, megjithatë thekson se zhvillimet e fundit në drejtim të anëtarësimit të Kosovës janë shumë pozitive.

“Për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota, vendi duhet që të jetë anëtar në FMN, gjë që është, pastaj nevojiten 2/3 e votave të anëtarëve apo 42 nga 63, si dhe ¾ e fuqisë votuese të anëtarëve. Në këtë drejtim jemi shumë optimistë se ky proces do të përmbyllet suksesshëm gjatë muajve në vijim”, thotë Shahini.

Por, ndryshe mendojnë njohës të çështjeve ekonomike. Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në institutin RIINVEST, për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova është vonuar shumë për anëtarësim në këtë mekanizëm financiar.

Abdixhiku konsideron se mungesa e angazhimit institucional që kjo çështje të shtyhet përpara, ka bërë që Kosova të vonohet që të bëhet anëtare e këtij institucioni bankar.

Ndryshe, udhëheqës të Ministrisë së Financave, më herët patën premtuar se deri në fund të 2011-s, Kosova do të anëtarësohet në këtë institucion bankar, pasi, siç patën deklaruar, autoritetet kompetente janë duke punuar në këtë drejtim.

“Besoj se shumë më i rëndësishëm për Kosovën është anëtarësimi në BERZH , sesa njohja prej një shteti. Nëse kemi dhënë mund për njohjen nga shtete të ndryshme, do të ishte e udhës të jepet i njëjti mund edhe për anëtarësim në këtë bankë. Megjithatë, po them se falë mungesës së angazhimit serioz dhe politikës sonë, ne kemi mbetur shumë mbrapa në këtë proces”, konsideron Abdixhiku.

Sidoqoftë, Abdixhiku e vlerëson të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në këtë bankë, pasi nga ky anëtarësim do të forcohej ekonomia e tregut dhe sektori privat.

“Investimet dhe kreditë e kësaj banke janë esenciale për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Asnjë vend në rajon nuk ndërton rrugë prej buxhetit siç ndërtojmë ne, por ndërton prej parave mjaft të favorshme të BERZH-ës. Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në BERZH do të sillte shumë para dhe investime në Kosovë. Do të thotë, është dashur të jetë një ndër prioritet thelbësore të Qeverisë së Kosovës”, thekson Abdixhiku.

Në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë të përfshira 63 shtete dhe dy institucione financiare.

Ndryshe, kjo bankë, në bashkëpunim me sektorin privat, investon projekte në 29 shtete të Evropës dhe Azisë Qendrore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG